Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg autorin e plagosjes së dyfishtë të ndodhur në Mamurras pak ditë më parë.
Aurel Shurbi plagosi me armë zjarri dajë dhe nip për motive të dobëta. Në pamundësi për të ikur 26 vjeçari, u vetëdorëzua te shërbimet e Policisë disa kilometra larg vendit të ngjarjes.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe arrestimi i tij u cilësua i ligjshëm.
Ndaj tij u caktua masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale ‘Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Njoftimi i policisë për ngjarjen para dy ditëve:
Reagimi në kohë i Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me armë, ku për pasojë u plagosën dy shtetas (dajë e nip).
Policia zbardhi në kohë rekord ngjarjen dhe shoqëroi personat e përfshirë në konflikt, si dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së dyfishtë, i cili u largua menjëherë pas ngjarjes.
Si rezultat i kontrolleve të shumta, rrethimit të zonës dhe pamundësisë për t’u larguar, autori i dyshuar i ngjarjes i është vetëdorëzuar shërbimeve të Policisë.
Policia, rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes, ka gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit kallashnikov me të cilën autori plagosi dy shtetasit (dajë e nip).
Rreth orës 20:10, në Mamurras, Kurbin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, janë plagosur me armë zjarri shtetasi A. M., 53 vjeç dhe nipi i tij shtetasi K. L, 29 vjeç, të cilët ndodhen për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës, Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe shoqërimi në Komisariatin e Kurbinit, i personave të përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi Gj. Sh, djali i tij shtetasin E. Sh. dhe shtetasin P. L. (daja i E. Sh) , si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., djali tjetër i shtetasit Gj. Sh.
Shtetasi A. Sh., 26 vjeç, autor i dyshuar i ngjarjes, në pamundësi për t’u larguar është vetëdorëzuar të shërbimet e Policisë disa kilometra larg vendit të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tij në flagrancë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel