Në kundërshtim me masat e vendosura nga organet shtetërore në parandalimin e përhapjes së Covid-19, janë proceduar penalisht 6 shtetas të cilët kanë organizuar grumbullime të jashtëligjshme.

Mes 6 personave që procedohen penalisht është dhe ish deputeti i PD-së, Ervin Salianji.

Mësohet se janë proceduar penalisht: Ervin Salianji., 32 vjeç, banues në Tiranë, sekretar i Burimeve Njerëzore pranë Partisë Demokratike; organizator i grumbullimit; Marjus Seitaj, 31 vjeç, banues në Berat, këshilltar pranë Partisë Demokratike; organizator i grumbullimit dhe Julian Gjini., 40 vjeç, banues në Divjakë, kryetar i Partisë Demokratike, dega Divjakë; organizator i grumbullimit

Nën hetim janë edhe tre shtetas të tjerë, shitës perimesh dhe fermer.

Divjakë

Organizuan grumbullime të paligjshme në kundërshtim me masat e nxjerra nga organet shtetërore në gjendjen aktuale të epidemisë COVID-19, procedohen penalisht 6 shtetas, ndërmjet tyre 3 organizatorët e takimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë proceduan penalisht shtetasit:

E. S., 32 vjeç, banues në Tiranë, sekretar i Burimeve Njerëzore pranë Partisë Demokratike;

M. S., 31 vjeç, banues në Berat, këshilltar pranë Partisë Demokratike;

J. Gj., 40 vjeç, banues në Divjakë, kryetar i Partisë Demokratike , dega Divjakë;

E. H., 39 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;

R. H., 33 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;

A. J., 50 vjeç, banues në Divjakë, fermer;

Ditën e djeshme, shtetasit E. S., M. S. dhe J. Gj., në rolin e organizatorëve, kanë shkuar pranë pikës së grumbullimit të perimeve në fshatin Mizë, Divjakë dhe kanë grumbulluar fermerë dhe banorë të zonës, duke mos zbatuar Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 i ndryshuar, si dhe ndryshimet e Kodit Penal të nxjerra nga organet shtetërore në gjëndjen aktuale të epidemisë COVID-19.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, të cilët po hetohen në gjendje të lirë.

Top Channel