Kitet e koronavirusit të ardhura në Tanzani nxjerrin pozitiv dhitë dhe ‘pau-pau’

09/05/2020 15:05

Kitet testuese të Covid-19 në Tanzani kanë ngritur dyshime pasi mostrat e marra nga dhitë dhe fruti tradicional vendas pau-pau, kanë rezultuar pozitive me virusin.

Presidenti John Magufuli tha se kishte gabime teknike në mjetet testuese të importuara nga jashtë vendit, por nuk tha se nga kishin ardhur.

Ai tha se për të vlerësuar saktësinë e testimeve agjencitë e sigurisë së vendit kishin marrë mostra nga disa gjallesa jo-njerëzore, duke përfshirë pau-pau, dhitë e delet. Atyre iu vendosën emra dhe u dërguan në laborator për t’u testuar mbi koronavirusin e ri.

Teknikët e laboratorëve qëllimisht nuk i informuan për origjinën e mostrave, dhe dhitë dhe pau-pau rezultuan pozitiv me koronavirus, tha Magufuli.

Presidenti shtoi se gabimet në testime bëjnë që njerëzit të rezultojnë pozitivë edhe pa e pasur virusin. “Ka dicka që po ndodh. Por unë e kam thënë më parë dhe e pranoj se çdo ndihmë është e mirë për kombin”.

Lideri opozitar vendas Zitto Kabwe tha për rrjetin BBC: “Nuk e di por më duket se qeveria po fsheh shifrat. Deri tani kemi pasur shumë të vdekur, dhe nëse nuk ka transparencë do të ketë më shumë zi dhe viktima.”

Presidenti Magufuli ndërkohë ka nxitur tanzanianët të vazhdojnë të shkojnë në kishë dhe të luten, pasi e ka krahasuar pandeminë me Satanin.

Ai njoftoi dje gjashtë vdekje të reja nga koronavirusi, ndërsa si kristian i devotshëm tha se “virusi nuk mund të jetojë në trupin e Krishtit, ai digjet menjëherë aty”.

Tanzania ka raportuar 480 raste me koronavirus dhe 17 vdekje. Magufuli tha gjithashtu se po dërgonte një avion në Madagascar për të marrë kurën bimore të atjeshme.

FOTO GALERI
1/3
Teknikët e laboratorëve qëllimisht nuk i informuan për origjinën e mostrave, dhe dhitë dhe pau-pau rezultuan pozitiv me koronavirus

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA