Sampdoria ishte skuadra e futbollit në serinë A, me numrin më të madh të lojtarëve të prekur nga pandemia në muajin Mars, por makthi i coronavirus u rikthye sërish te ekipi nga Liguria.

4 raste të tjerë janë verifikuar në formacionin e Marasi duke sjellë të tjera probleme në kampionatin italian, që këtë muaj dukej më pranë se kurrë për rifillimin e emocioneve, edhe pse në stadiume pa tifozë.

Sampdoria njofton se pas testeve të bëra për Covid-19 të cilëve iu nënshtruan futbollistët dhe stafi, kanë dalë 3 tamponë pozitivë dhe një tjetër rikthim në pozitivitet. Aktualisht të katër personat janë pa simptoma nga koronavirus por janë vendosur në karantinë dhe po monitorohen për shëndetin e tyre, sipas protokollit: thuhet në njoftimin e klubit.

Klubi italian rikthehet kështu në një ëndërr të keqe, nga e cila mendonte se ishte zgjuar, pasi më parë në mes të Marsit kishin rezultuar pozitiv me virusin, lojtarë si Gabbiadini, Ekdal, La Gumina, Thorsby, Depaoli, Bereszynski, Barreto e mjeku social Amedeo Baldari. Tani pas shërimit vjen një dush i ftohtë për Sampdorian me rastet e reja që vendosin në pikëpyetje përgatitjet e ekipit për rinisjen e sezonit aktual.

 

Top Channel