Rifillimi i sporteve/ Trajnerët: Futbollistët e vegjël të kthehen në fushë

08/05/2020 19:47

Në vendin tonë janë të regjistruar rreth 20.000 fëmijë që merren me futboll nga mosha 7 deri në 18 vjeç.

Prej mëse dy muajsh ata kanë mbetur të mbyllur përpara kompjuterave apo librave brenda 4 faqeve të mureve. Askush nuk kujdeset dhe nuk kujtohet për ta, për dëmin që po i shkaktohet nga mungesa e aktiviteteve sportive, aq më tepër kur bëhet fjalë për futbollin i cili i ka edhe hapësirat e duhura për të marrë masat e sigurisë, shumë më tepër se bizneset e tjera që janë hapur përpara tij.

“Unë apo të gjithë ata që merren me këtë punë nuk kemi nevojë për “pagën e luftës”, por ama kemi nevojë që të fillojmë aktivitetin, të fillojmë sa më shpejt të fillojmë urgjent. Këtë gjë nuk e them me naivitet apo me interes personal, por e flas me përgjegjshmëri të plotë sepse të bësh stërvitje në7 hektarë me një dendësi që i bie 500m2/për person gjatë kohës që stërvitesh rreziku në ato momente pothuajse nuk ekziston fare”, shprehet Redi Jupi.

“Ka ardhur koha që të lirohet edhe ky sektor. Kemi shumë kërkesa sidomos nga prindërit që po e vuajnë shumë mbajtjen e fëmijëve brenda në shtëpi Kjo është diçka e vështirë për fëmijët që janë mësuar të dalin, të stërviten dhe të luajnë dhe po flasim për një numër jo të pakët”, thotë Luan Pinari.

“Një njeri që bën sport apo futboll është më i shëndetshëm se një njeri nuk merret. Duke patur parasysh edhe ambientet e hapura, që në një fushë është rreth 10.000 m2 stërviten 20-30 fëmijë të vjen gjynah që nuk kemi rifilluar. Unë mendoj që shteti duhet të reflektojë sepse është një humbje e madhe. Gjithmonë ne njerëzit e sportit themi që futbollin po r le një ditë të lë një vit, jo më dy muaj që është një kohë e gjatë që duhet për të marrë veten”, thotë Alban Bushi.

“Jo të kujtohen për sportin vetëm kur ka ndeshje të rëndësishme siç është derbi Tirana-Partizani apo ndeshjet të rëndësishme që shkojnë jashtë. I gjithë ky aktivitet që të zhvillohet ka nevojë për stërvitje përpara. I kemi mundësitë për ta bërë stërvitjen me grupe me metodikën e duhur në ambientet e duhura, ata që i kanë. Ne këtu nuk po flasim për sport performance. Po flasim për sport tek fëmijët që janë në procesin e rritjes, ne ndeshjet nuk i kemi të rëndësishme, ndeshja për ne është stërvitja e fundit e javës”, shprehet Redi Jupi.

“Kjo është ajo që kërkojmë, rifillimin e stërvitjes me ato kushte që na kërkojnë, me reduktimin e numrit të futbollistëve në orare të ndryshme. Më pas na tregon vetë puna hap pas hapi se si do arrijmë deri tek rifillimi i kampionatit. Por duhet bërë ky hapi i parë është i domosdoshëm në këto moment”, thotë Pinari.

“Patjetër që duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ndonjëherë nga dëshira për të bërë diçka të mirë, bëjmë diçka të keqe duke çuar virusin në shtëpi. Por duke qenë të kujdesshëm, duke u stërvitur mirë mendoj që do t’ja dalim dhe mendoj që sporti është vaksina më e mirë kundër këtij virusi”, tha Bushi./Endi Tufa/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA