Tragjedia në Berat, i afërmi i viktimave rrëfen si ndodhi ngjarja: Vëllai hyri në pus për të hequr shkallët por…

07/05/2020 12:16

Tre shtëpi kanë hapur dyert e mortit ditën e sotme në fshatin Dyshnik të Beratit , ku një fatkeqësi e ndodhur u mori jetën Kamber Hoxhës, Neim Hoxhës dhe Gentian Golashit.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka qenë në vendin e ngjarjes ku intervistoi një të afërm të viktimave (vëllanë e Kamber Hoxhës), Neki Hoxha.

Ai është shprehur se fillimisht në pus kishte hyrë Kamber Hoxha i cili po tentonte të hiqte shkallët e pusit dhe më pas ta mbushte me dhe për shkak se ishte tharë, por gazi e ka asfiksuar. Për të shpëtuar atë menjëherë është futur nipi (djali i motrës) Gentian Golashi dhe më pas djali i vëllait Neim Hoxha por edhe këta të dy mbetën të asfiksuar.

“Vëllai po e mbushte me dhe këtë pusin. Po mundohej të hiqte, dhe nuk e  dinte se ishte mbushur me gaz. Vëllai ngeli brenda. U fut nipi çuni i motrës, Gentiani ngeli edhe ai. U fut edhe djali tjetër Neimi dhe ngeli edhe ai.  Nxjerrja vonoi pak mbi një orë. Njëri xhaxhain njëri dajën. Më takuan rrugës zjarrfikësit iu hapa edhe rrugën se nuk e dija se ku po shkonin.” tha Neki Hoxha.

Top Channel