Është ndarë nga jeta piktori, arkitekti, shkrimtari dhe publicisti Maks Velo (1935-2020), anëtar i komisionit të artit dhe trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave dhe bashkëpunëtor i saj prej një periudhe të gjatë.

Maksi Velo është nga paraprirësit e artit modernist në Shqipëri. Kërkimet në formë, me një prirje të theksuar kthimi tek arti zanafillës i Njerëzimit dhe përfytyrimet tipike të naivizmit europian në artin e figurës; stilizimet e mprehta, simbolet, gjuha metaforike, gjësendet dhe mjediset surreale, sidomos në grafikë, janë bërë pjesë e personalitetit të tij krijues, ngaherë në shqetësim e në kundërshti me klishetë e imponuara ideologjikisht. I pranishëm në media dhe në meset artistike të kohës, ai ka dëshmuar cilësi arti dhe mendimi, si krijues i përkushtuar ndaj suksesit dhe kërkimeve të reja në modernizimin e gjuhës së artit pamor shqiptar, të arkitekturës dhe të cilësisë së jetës shpirtërore përgjithësisht. Ai mbeti një njeri që kërkoi drejtësinë në jetë dhe përsosmërinë në artin e vet. Mjedisit të artit shqiptar do i mungojë jo vetëm krijuesi me shpirtin bashkëpunues, por në mënyrë të veçantë “Mundimi” e tij, që gjendet sot në studiot e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj, fitues i çmimeve të mëdha shkencore që jepen nga Akademia e Shkencave, sinonim i mundimit të kërkimit dhe krijimit në përgjithësi.

Kush është Maks Velo

Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua inxhinier ndërtimi në Institutin Politeknik të Tiranës (1957). Në vitin 1960–1973 projektoi me një koncept të ri, godina të ndryshme sociale, rrugë dhe parqe në Tiranë e qytete të tjera. Në 1970–1973 ishte pedagog i lëndës së perspektivës në Institutin e Lartë të Arteve; në 1973–1975 u kritikua rreptë për “ndikime të huaja” në art dhe arkitekturë, derisa edhe u burgos (1978–1991). Koleksioni i tij me ikona mesjetare e skulptura baritore në dru, si dhe shumë tablo në pikturë u asgjësuan si “dekadente”. Pas marrjes së pafajësisë (1991), u rishfaq me sukses në fushat që ndiqte para burgimit: pikturë, arkitekturë, letërsi, publicistikë. Mori pjesë në 15 ekspozita kolektive (Tiranë, Aleksandri, Moskë, Bukuresht, Itali, Francë, Greqi, SHBA); në 1991–2004 realizoi 37 ekspozita personale në Shqipëri në vende të ndryshme të Europës e në SHBA. Ka botuar libra me poezi, tregime, romane, publicistikë, si dhe albume me vizatime, ku spikat libri autobiografik dhe eseistik “Kohë antishenjë” (2000) dhe dhjetra libra dhe albume në pikturë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA