Autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë bërë të ditur se ka vdekur edhe një person i diagnostikuar me koronavirusin e ri (COVID-19) duke çuar në 27 numrin e përgjithshëm të tyre në nivel vendi.

Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në raportin e saj ditor. Pacientja 63-vjeçare nga Komuna e Dragashit ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit, ndërsa “ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe sëmundje tjera shoqëruese”.

QKUK njofton se në këtë klinikë janë të shtrirë aktualisht 12 pacientë të infektuar me koronavirus, ndërsa prej tyre 9 janë në gjendje stabile, 2 raste në trajtim me oksigjenoterapi si dhe 1 pacient në mjekim intensiv në gjendje të rëndë.

Nga Klinika Infektive sot do të lirohen 5 pacientë të shëruar nga infeksioni me COVID-19. Në Kosovë aktualisht janë 860 të infektuar me COVID-19, ndërsa prej tyre deri më tani janë shëruar 533 raste.

Top Channel