Çmime Nobel, kryeministra dhe profesorë/ Facebook “emëron” Gjykatën e saj Kushtetuese

07/05/2020 21:21

Nuk janë pak ata që mendojnë se Mark Zuckenberg ka krijuar një perandori, me krijesa si Facebook dhe Instagram. Por nga sovran absolut, me sa duket amerikani do të shndërrohet në kreun e një shteti me një kushtetutë të mirëfilltë.

Pas miratimit muajt e kaluar të një dokumenti ku identifikohen parimet e kompanisë dhe rregullat që secili duhet të respektojë pra një lloj “Kushtetute” të gjigantit të rrjeteve sociale, tashmë me iniciativën e krijuesit të tij Mark Zuckenberg, Facebook por edhe Instagram do të kenë një “Gjykatë Kushtetuese” të mirëfilltë dhe të plotfuqishme në disa vendimmarrje.

Flitet për 40 persona, 20 prej të cilëve janë tashmë të konfirmuar në detyrë. Bëhet fjalë për personalitete ndërkombëtare, nga vende të ndryshme dhe që flasin 28 gjuhë të botës.

Kemi çmime Nobel si aktivistja jemenite Tawakkol Karman, gazetarë fitues të çmimit Pulitzer si ish-drejtori i The Guardian, Alan Rusbridger, por edhe ish-kryeministra si ajo e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt.

Mes këtyre emrave, më të njohurit, dhjetëra profesorë dhe juristë nga universitetet më prestigjioze në botë, si Columbia dhe Stanford.

Objektivi i Gjykatës, që zyrtarisht quhet “Oversight Board”, do të jetë ndërhyrja në çështjet më delikate që kanë të bëjnë me dy rrjetet sociale, Facebook dhe Instagram, duke filluar nga eliminimi i profileve ose faqeve të caktuara deri tek cilësimi i temave si urrejtja racore, respektimi i privatësisë, diskriminimi fetar etj.

Sipas zëvendës presidentit të Facebook, Nick Clegg, institucioni i ri që do të ketë edhe një buxhet rreth 130 milionë dollarë, ka pavarësi në këto vendime, të cilat do të jenë përfundimtare dhe të padiskutueshme nga pronësia./Shqip/

FOTO GALERI
4/6
Alan Rusbridger, gazetar çmim Pulitzer

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA