Bundesliga jep dhe data/ Nis me javën 26, ndeshje në 16 maj

07/05/2020 21:06

Tani është zyrtare, Bundesliga gjermane do të nisë në 16 maj.

Lajmi u konfirmua nga presidenti i Ligës Gjermane të Futbollit, Christian Seifert, një ditë pasi qeveria e kancelares Merkel miratoi fillimin e kampionatit që është ndërprerë që nga muaji mars dhe përllogaritet që sezoni të mbyllet në 27-28 qershor me ndeshjet që do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Pas këtij vendimi, DFL do të shpërndajë edhe kalendarin për pjesën e mbetur të sezonit për përpilimin e të cilit do të mbajë parasysh edhe ndërthurjen e sfidave të kampionatit me ato të Kupës, kompeticion ku janë për t’u zhvilluar dy sfidat gjysmëfinale dhe finalja.

megjithatë debatet e polemikat nuk munguan në lidhje me rifillimin e kampionatit. Një prej atyre që ishin në favor të rikthimit të skuadrave në fushën e lojës ishte legjenda e futbollit gjerman Lothar Matthaus i cili thekson se futbolli është medikamenti i psikozës dhe se nëse gjithcka funksionon të gjithë do të imitojnë Bundesligën. ndërsa në krahun tjetër, atë kundër rifillimit të Bundesligës kishte edhe politikanë siç ishte rasti i Karl Lauterbach, aleat në qeverinë Merkel dhe profesor epidemiolog i cili në ditët e kaluara tha se rifillimi i kampionatit është një vendim fals dhe për motive komerciale.

Por edhe vetë brenda futbollit gjerman kishte klube që nuk e dëshironin rifillimin e kampionatit; Werder Bremen, Mainz, Fortuna Dusseldorf dhe Nurnberg. Bundesliga u ndërpre në 13 mars, 4 orë përpara fillimit të Fortuna Dusseldorf-Paderborn e vlefshme për javën e 26. Nëse gjithçka do të respektohet, kjo sfidë mes skuadrës së vendit të tretë nga fundi dhe atij të fundit do të jetë një përplasje, ndoshta me dimensione planetare, me sytë e të gjithë botës në të, përveç atyre të Gjermanisë. Në fakt, Liga Gjermane do të duhet të bëjë sqarime për të drejtat televizive vetëm për tregun vendas për të evituar rifillimin e kampionatit pa tifozë dhe pa televizion.

Top Channel