Botërori i MotoGP po bëhet gati për të ngritur siparin e tij për vitin 2020.

Është arritur marrëveshja mes autoriteteve të rajonit të andaluzisë, Këshillit të Jerez dhe Dornës për mbajtjen e dy garave të para të sezonit në këtë pistë të dedikuar ish-pilotit Angel Nieto. Për momentin bëhet fjalë për një propozim për mbajtjen e këtyre 2 garave në cirkuitin spanjoll në 19 dhe 26 korrik, që i është dërguar autoriteteve në Madrid, më pas do të jetë qeveria spanjolle ajo që do të japë vendimin e saj përfundimtar duke parë edhe zhvillimet përsa i përket pandemisë koronavirus.

Në akordin mes palëve kishte hapësirë edhe për botërorin e Superbike që në kalendar e kishte të parashikuar garën e Jerez në 2 gusht. nëse qeveria Sanchez do të japë miratimin e saj ndaj këtij propozimi, Federata Ndërkombëtare e Motociklizmit do të duhet të përfshijë dy garat e Jerez në kalendarin e saj zyrtar që për momentin parashikon si garë hapëse të kampionatit, Çmimin e Madh të Çekisë në Brno në 9 gusht. nëse gjithcka do të miratohet, gara e 19 korrikut do të quhet Cmimi i Madh i Spanjës, ndërsa ajo e 26 korrikut, Çmimi i madh i Andaluzisë.

Është ky një program i ngjashëm me atë të Formula 1 që pritet të nisë këtë sezon me 2 gara në pistën e Red Bull Ring të Austrisë në fillim të muajit korrik.

Top Channel