Balbo kujton botërorin/ Komplot kundër Maradonës ne 1994

07/05/2020 21:52

Edhe kur kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përjashtimi i bujshëm i Diego Armando Maradonës nga botërori i Futbollit në SHBA, protagonistë e asaj kohe vazhdojnë të nxjerrin detaje që sipas tyre janë të vërtetë e të panjohur më parë.

Në turneun e 1994, ish sulmuesi argjentinas rezultoi pozitiv në një test antidrogë pas ndeshjes ndaj Nigerisë duke lënë aktivitetin.

Por Abel Balbo, ish futbollisti i njohur pretendon se Diegos iu ngrit një kurth nga instancat më të larta, pikërisht për shkak të zërit jashtë korit, në thuajse çdo rast të Maradonës.

“Ishte hera e parë që një infermiere futej në fushën e lojës për të marrë një kampion nga trupi i një futbollisti, për kontrollin antidoping. Ajo çfarë ndodhi me Diegon ishte vërtet një komplot. Ne po bezdisnim shumë njerëz me pozita dhe ata nuk mund të lejonin që ne të shpalleshim kampionë bote.

Sulmuesi me një të kaluar të lavdishme në kampionatin italian, pretendon se pavarësisht historikut, Maradona në atë botëror ishte i pastër.

Diego me ne ishte i sinqertë dhe po bënte gjërat mirë. Por e kërkuan dhe e morën, e për këtë krijuan një teatër të vërtetë dhe koha na dha të drejtë. Të gjithë e pamë që në FIFA kishte shumë skuta të errëta.

Diego Armando Maradona u përjashtua nga botërori pasi në analizat e tij u gjetën 5 variante të efedrinës, një stimulues i ndaluar nga FIFA..

Top Channel