Nuk i respektuan masat kundër koronavirusit, ndalohen 72 persona në Kosovë

05/05/2020 11:29

Policia e Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, ndaloi 72 persona, të cilët nuk i respektuan masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 11 raste janë hasur 72 persona që dyshohen për veprën “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Numri më i madh i personave të ndaluar, sipas policisë, është regjistruar në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe në Prizren.

Në Kosovë, më 4 maj ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit. Disa biznese janë rihapur, ndërsa orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë.

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave.

Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 855 raste me koronavirus. Prej tyre, 403 janë shëruar, ndërsa 26 kanë vdekur./REL

Top Channel