Klubet portugeze në stërvitje për rinisjen e Ligës

05/05/2020 12:34

Klubet e Primeira Liga në Portugali duke përfshirë Benficën dhe Porton kanë rinisur stërvitjet në karakter individual në kuadër të përgatitjeve për rifillimin e kampionatit që mendohet se do të jetë në fund të muajit maj.

Liga luzitane e futbollit ishte ndërprerë që nga mesi i muajit mars për shkak të pandemisë coronavirus dhe tani futbolli po bëhet gati t’i rikthehet fushave të lojës.

Në fakt qeveria portugeze e kryeministrit Antonio Costa ka mbajtur sportin profesionist të pezulluar përveç Kampionatit dhe Kupës së Portugalisë.

“Çdo seancë stërvitore ka rëndësi”, tha trajneri i Benficës, Bruno Lage, “edhe këto seanca individuale që do të zhvillojmë për disa kohë”.

Në kampionatin portugez kanë mbetur edhe 10 javë për t’u zhvilluar dhe në krye të klasifimit është Porto me 1 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Benficas. Ndërsa në Francë dhe Holandë është vendosur për mbylljen përfundimtare të sezonit 2019/20, në Portugali ashtu sikurse edhe na Itali, Gjermani, Spanjë dhe Angli po bëhen përgatitje që skuadrat të kthehen në fushat e lojës.

 

Top Channel