Kërcimi me shkop! “Mbretërit”, sfidë në…kopshte

05/05/2020 12:28

Tre nga atletët më të mirë të të gjitha kohërave në kërcimin me shkop në atletikë, Armand Duplantis, Renaud Lavillenie dhe Sam Kendricks u bënë protagonistë të një sfide të veçantë mes tyre në kopshtet e banesave të tyre, teksa gjetën një mënyrë të re të të garuarit.

Rekordmeni aktual i botës në kërcimin me shkop, Armand Duplantis dhe kampioni olimpik Lavilleni arritën që në këtë garë të vecantë të kalonin 36 herë lartësinë 5 m brenda gjysmë ore, ndërsa kampioni i botës, Kendricks arriti ta kalojë atë në 26 tentativa të suksesshme.

Eventi u transmetua në live streaming nga World Athletics në platformat e saj sociale dhe u ndoq nga 150 mijë persona. Lavillenie garoi në banesën e tij në Clermont-Ferrand në Francë, suedezoi Duplantis në Lafayette të Lousianas dhe Kendricks në Oxford të Mississipit

Federata Botërore e Atletikës theksoi se do të organizojë të tjera evenimente të tipit “Ultimate garden Clashes” me atletët që janë  të izoluar për shkak të pandemisë coronavirus. ‘Ishte një nismë brilante, argëtuese dhe inovative-tha presidenti i Federatës ndërkombëtare të Atletikës, Sebastian Coe.

Ndërkaq, Lavillenie dhe Duplantis do të përballen me njëri-tjetrin edhe në 11 qershor në Oslo. Suedezi që ka  rekordin e kërcimit me shkop me 6.18 m të vendosur në muajin shkurt ishte favoriti kryesor për të fituar medaljen e artë olimpike në Lojërat e Tokios që u shtynë për në vitin 2021.

Top Channel