Organizata Botërore e Shëndetësisë reagoi pas studimit francez, sipas të cilit në vend ka pasur një person të infektuar me Covid 19 që në 27 dhjetor, duke i kërkuar shteteve të tjera te verifikojnë raste të dyshimta të mëhershme.

Autoritetet në Kinë, vendi ku lindi sëmundja ia raportuan atë OBSH-së në 31 dhjetor, dhe mendohej se në Europë koronavirusi nuk ishte përhapur përpara janarit. “ Kjo e ndryshon krejtësisht tablonë e situatës”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier gjatë një takimi në Gjenevë. Një pacient i diagnostikuar me pneumoni në 27 dhjetor pranë Parisit, duket se ka pasur në fakt koronavirus.

Mjeku i tij, Yves Cohen, u tha mediave fraceze se kampionet e marra asokohe prej tij u testuan tani dhe dolën pozitive. E gjithë kjo do të thotë se Covid 19 mund të ketë hyrë në Francën një muaj më herët nga sa mendohej. Me 25.000 të vdekur, dhe 170.000 të infektuar, Franca është një prej vendeve më të prekura në Europë nga sëmundja. Edhe në Itali, një 41 vjecare nga Milano që kishte pasur simptoma të koronavirusit që në 22 dhjetor, rezultoi se fundi se ka zhvilluar antitrupa, që do të thotë se e ka kaluar vërtet atëherë sëmundjen.

Disa mjekë shqiptarë po ashtu dyshojnë se virusi mund të ketë qarkulluar që në janar, por në atë kohë OBSH nuk i kishte dhënë rekomandimet dhe vendi nuk ishte i pajisur me kite dhe teste për verifikimin e rasteve të tilla.

Top Channel