Prej disa javësh në ribrikën Vitrina e Librit kemi nisur rubrikën ‘Librat që më rritën’. Kjo është një mënyrë për të gëzuar në këto ditë të zymta por dhe një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë vetes dhe lexuesit nëpërmjet një forme tjetër alternative, vec leximit, dëgjuarit muzikë apo dhe ndjekjes së një filmi.
Mendoj dhe besoj fort se është një mendim shumë frymëzues, për të luftuar të keqen, që sot ndihet më shumë se në një botë të lirë. Ky do të jetë një koleksion i përsosur i disa personaliteteve publikë mbi atë cfarë librat kanë përcjellë në jetët e tyre. Kjo është një rubrikë që jashtëzakonisht në një kohë të ardhme do t’u shërbejë lexuesve të rinj për të mësuar mbi përvojat e leximit të secilit personazh – librat e tyre të parë, kujtimet e tyre të hershme, si janë bërë lexues të mirë dhe çfarë i bën ata lexues sot. Cili është personazhi ynë sot?
Av. Spartak Ngjela lindi në 11 korrik 1948 në Tiranë. Kreu studimet në Universitetin e Tiranë në degën Juridik në vitin 1970. Menjëherë pas diplomimit ka punuar në zyrën e ndihmës juridike në Vlorë e më pas në vitin 1972 në Prokurorinë e Rrethit Durrës. Në vitin 1973 ishte punonjës shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë. Ndërsa në vitin 1976 dhe 1979-1990 është dënuar për “Agjitacion e Propagandë” në burgun e Burrelit. Në vitin 1991 e vazhdim punon si Avokat në Studion e tij Ligjore.
Veprimtaria politike:
25/07/1997: Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. 2001- 2003: Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. 09/ 2005 – 04/ 2006: Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Më 12/12/ 2008 themelon Partinë Ligj dhe Drejtësi. Ka shërbyer si Deputet i Kuvendit në dy legjislatura. Në vitet 2001-2005 dhe në vitet 2005-2009. Av. Spartak Ngjela është autor i disa librave, romane dhe studime politike. Më i fundit është “Hakmarrja e një gruaje”, botuar në vitin 2018.
S.: Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?
Av. Spartak Ngjela: Mund të jenë disa, por njeriu mban mend atë libër i cili i ka formuar sistemin individual të të menduarit. Sistemi i të menduarit ka tre aspekte të formimit të tij: formimi logjik, formimi artistik dhe formimi i karakterit. Në funksion të kësaj trinie jam i sigurt kur them se fituesit e saj tek unë janë: Kritika e Arsyes së Pastër e Imanuel Kantit. Makbethi, i Shekspirit; dhe Leviethan i Thomas Bobbes-it. Pse janë këta? Sepse Kanti me atë punim unik, më mësoi dallimin midis intelektit dhe arsyes, domethënë dallimin midis shkencës dhe metafizikës, dhe dallimin midis arsyes dhe religjionit. Sigurisht më sqaroi edhe dymbëdhjetë gjykimet me të cilët vepron mendja njerëzore. Makbethi më krijoi konceptin real të tragjedisë që vjen nga dëshira patologjike për pushtet, por si nëntekst poetik, i një vargu të një poezie sublime që shkon drejt qiellit. Shekspiri këtu na tha se, duke dashur që me dhunën e pushtetit të kapësh lumturinë, në fakt nuk do të kapësh asgjë veç shkatërrimit tënd dhe dyshimit të përditshëm mitik së ty do të të vrasin. Leviethan i Hobbes-it më krijoi konceptin real të kontratës shoqërore si moralitet i shtetit kundrejt individit; dhe bindjen time se: the same man in diverse times differs from himself– çdo njeri në kohë të ndryshme del nga vetvetja. Të mos dalësh nga vetvetja, është karakter…
S.: Cili është libri që aktualisht po lexon..?
Av.Spartak Ngjela: Po rilexoj mbas disa vjetësh “Ngritja e Perëndimit”, e William H. McNeill (The Rise of the West).
S.: Po libri që të ndryshoi jetën?
Av. Spartak Ngjela: “Kritika e Arsyes së Pastër” e Emanuel Kantit.
S.: Libri që të ndikoi më shumë për të shkruar ?
Av.Spartak Ngjela: Katër tragjeditë e Shekspirit (si bllok), të përkthyera nga Fan Noli – aty pasqyrohet madhështia e gjuhës shqipe.
M.S.: Libri që është mbivlerësuar më shum me pa të drejte? Si e keni përjetuar ju atë?
Av. Spartak Ngjela: “Kapitali” i Karl Marksit. Devijim i së vërtetës, utopi dhe dëshirë naivë për të thënë: unë jam Mesia.
S.: Libri i fundit që ju ka bërë të qeshni?
Av. Spartak Ngjela: Gjithëherë që lexoj Donkishotin e Servantesit me përkthim të Fan Nolit dhe Petro Zhejit.
M.S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?
Av. Spartak Ngjela: Çdo libër i dobët. Pse duhet emri?
M.S.: Libri që ju vjen shumë turp që se keni lexuar ende?
Av. Spartak Ngjela: Nuk më vjen turp, por më vjen shumë keq që nuk po e lexoj. Është libri i famshëm i Ronald Inglehart – “Modernizimi dhe Postmodernizimi” (ndryshimi kulturor, ekonomik, dhe politik në 43 shoqëri )
M.S.: Libri më i hershëm që keni lexuar?
Av. Spartak Ngjela: Nuk e di se çfarë të them, por veten time e kam kapur me Balzakun… Këtu e ndjeva se po kuptoja që mund të isha edhe unë një dikush që po e kuptonte jetën, intrigën dhe dashurinë.
M.S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?
Av.Spartak Ngjela: Tani nuk jap më, por kam pas dhënë Hamletin e Shekspirit, përkthyer nga Noli.
Top Channel