Rikonstruktohet tërësisht shkolla “1 Qershori” në Kombinat, dyfishohen kapacitetet

04/05/2020 14:22

Pas ndërtimit të shkollës së re “Betim Muço”, nga sot Kombinati ka edhe një shkollë të rikonstruktuar me kapacitete të dyfishuara, që i jep fund mësimit me dy turne.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi përfundimin e punimeve në shkollën “1 Qershori”, tashmë e pajisur me laboratorë dhe terrene sportive. “Është një shkollë me emrin e bukur “1 Qershori” dhe teksa afron festa e fëmijëve, fëmijët që jetojnë në kufi të njësisë 5 dhe 6, tek rr. ‘Hamdi Pepa’, do kenë mundësi të shkojnë në një shkollë me dyfishin e kapacitetit; pra, kemi kaluar në shkollë me një turn kur të rifillojë”, tha ai.

Veliaj shtoi se falë këtij rikonstruksioni respektohen edhe normat e BE-së për numrin e nxënësve në klasa. “Nëse do e përdorim me dy turne, nuk do jetë më nga nevoja, por për shkak të rregullave të distancimit social, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Me 23 vetë në klasë renditet në një nga shkollat që respekton, madje edhe e tejkalon normën e Bashkimit Evropian për një shkollë perfekte”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku ftoi prindërit që të regjistrojnë fëmijët e tyre në kurset sportive, të cilat do të zhvillohen pas mësimit, në mjediset e reja sportive që i janë shtuar shkollës. “Mezi pres që ta shfrytëzojmë 24 orë, pra paradite në një turn për nevojat arsimore, kurse pasdite me komunitetin për nevojat sportive. Kemi vendosur jo vetëm një palestër të re, fushë të re kalçeto, basketbolli, një mini-hapësirë gjimnastike, po ashtu rampat, mini-tribuna. Pra, mund të jetë edhe një mjedis çlodhës, ku prindërit vijnë e bëjnë tifo për fëmijët”, nënvizoi ai, teksa shtoi se ky investim është një tjetër shembull ku publikja është shumë më cilësore se privatja.

Por, krahas përmirësimit të infrastrukturës shkollore, në Kombinat do të vijojë puna edhe për vendosjen e kangjellave mbrojtëse për këmbësorët, si dhe për korsitë e biçikletave. “Për të gjithë fëmijët që i kanë çuar peticione pa fund Lali Erit për më shumë korsi biçikletash, ne do të vazhdojmë t’i shtojmë edhe në Kombinat, që fëmijët të vijnë të sigurt në këtë shkollë. Kemi vendosur kangjella në të gjithë perimetrin e rrugës kryesore të Kombinatit. Do vazhdojmë me kangjella që këmbësorët të ecin të sigurt dhe me pista biçikletash, që gjithashtu edhe çiklistët të jenë të sigurt. Me korsitë e biçikletave do të vazhdojmë sipas planit, kemi futur në planifikim edhe 20 rrugë të reja. Ishte një lajm fantastik ajo që zbuluam se edhe nga doganat e tatimet janë trefishuar shitjet e biçikletave”, theksoi Veliaj.

Në prag të 1 Qershorit, kreu i Bashkisë dha një lajm të mirë edhe për të gjithë fëmijët e kryeqytetit, të cilët do të kenë më shumë hapësira të gjelbra dhe terrene për të luajtur me hapjen e Parkut Rinia. “Për të gjithë fëmijët e Tiranës kemi një dhuratë tjetër për 1 Qershor: përveç shkollës “1 Qershori”, do të hapim Parkun Rinia. Tani që është liruar pak fundjava, besoj se do të jetë 1 Qershori i paharrueshëm për çunat edhe gocat e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

E ndërtuar që në vitin 1961, falë investimit të Bashkisë së Tiranës shkolla ka dyfishuar kapacitetet e saj. Shkolla ka tashmë jo vetëm klasa shtesë dhe terrene sportive të reja, por edhe sistem ngrohjeje, sistem të mbrojtjes kundër zjarrit, rampa për PAK etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA