Koronavirusi/ SHBA autorizon përdorimin e mjekimit kundër Ebolas edhe për CoVid-19

02/05/2020 18:21

Administrata amerikane e ushqimit dhe mjekimeve ka autorizuar sot përdorimin e mjekimit të përdorur kundër Ebola remdesivir edhe për kurimin e koronavirusit të ri.

Autorizimi bën që mjekimi anti-viral të përdoret tashmë te pacientët e shtruar në spital me simptoma të rënda të Covid-19.
Testimet e fundit klinike kanë treguar se mjekimi shkurtonte kohën e rekuperimit të pacientëve në gjendje relativisht të rëndë, por gjithsesi nuk përmirësonte përqindjen e mbijetesës.

Ndërkohë ekspertët kanë paralajmëruar se mjekimi, i krijuar fillimisht për trajtimin e epidemisë së Ebola e i prodhuar nga korporata amerikane Gilead, nuk duhet të konsiderohet si një “plumb magjik” për koronavirusin.

Mjekimi ndërhyn në genomin e virusit duke prishur aftësinë e tij për t’u shumuar.

Gjatë një takimi me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kreu ekzekutiv i Gilead, Daniel O’Day tha se autorizimi zyrtar i adminsitratës ishte një hap i parë i rëndësishëm.

Kompania tha se do të dhuronte 1.5 milionë doza.

Komisioneri i agjencisë federale të mjekimeve Stephen Hahn tha në takim: “Kjo është terapia e parë e autorizuar për Covid-19, jemi krenarë që jemi pjesë.”

Agjencia amerikane tha se autorizimi i dhënë në kohë emergjence nuk është i njëjtë me aprovimet zyrtare që kërkojnë një kohë më të gjatë vlerësimesh.

Ky mjekim nuk e ka kuruar sëmundjen Ebola, dhe kompania Gilead thoshte në faqen e saj të internetit: “Remdesivir është një mjekim eksperimental që nuk ka efikasitet apo nivele sigurie të garantuara”. Me këtë Gilead paralajmëron tërthorazi efekte anësore serioze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA