Nisen për në atdhe ekipi i 30 mjekëve shqiptarë, përcillen në aeroport nga ambasadorja

30/04/2020 22:25

Ekipi i 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë kanë fluturuar drejt Shqipërisë. Pas orës 19:00 ata janë nisur nga aeroporti i Fiumicino i Romës drejt Tiranës.

Ekipi mjekësor u përcollën në aeroport nga ambasadorja shqiptare, Anita Bitri Lani.

“Falenderova, në Fiumicino, ekipin e mjekëve dhe infermierëve që shërbyen në Brescia, për punën e bërë, përkushtimin e dëshmuar dhe simpatinë që shpërndanë në pavionet ku kontribuan në luftën kundër COVID19! Nisen në Shqipëri për të vazhduar shërbimin e tyre” shkruan Ambasadorja.
Mjekët dhe infermierët shqiptarë shërbyen për një muaj në spitalet e rajonit të Lombardisë, rajoni më i goditur në Itali nga Covid-19.

Kujtojmë se pak përpara mbylljes së misionit në Itali, grupi i parë i mjekëve dhe infermierëve kanë kryer një veprim, për të cilin janë vënë në krye të faqeve të para të medias italiane.

Gazeta “Corriere della Sera” shkruan se ata kanë festuar mbylljen e misionit me muzikë dhe birrë, por për këtë arsye janë gjobitur. Ata kanë thyer karantinën, por edhe janë grumbulluar më shumë se numri që lejohet.

Misioni i tyre është mbyllur me birra dhe festë të çmendur, por edhe me një gjobë të majme prej 500 euro.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel