Arrestohet milioneri për vrasjen e gruas së zhdukur dhe inskenimin e pengmarrjes

30/04/2020 20:14

Një nga njerëzit më të pasur në Norvegji është arrestuar dje si i dyshuari kryesor për vrasjen e bashkëshortes, e cila është zhdukur gati dy vjet më parë.

Policia beson se Tom Hagan ka inskenuar pengmarrjen e gruas së tij Anne-Elizabeth Falkevik, e cila u zhduk nga shtëpia e tyre në Loerenskog, në lindje të Oslo, në tetor 2018.

Në janar 2019 policia tha se një letër ishte gjetur në shtëpinë e çiftit ku përshkruhej se çfarë do të ndodhte nëse nuk paguhej shpërblesa e kërkuar, në kripto-valutën virtuale Monero.

Policia nuk dha shifrën e kërkuar nga pengmarrësit por media vendase VG raportonte se ishte 9 milione krona suedeze, ose rreth 800 000 euro.
Në qershor 2019 policia vendosi se hetimi ishte kthyer në një çështje vrasjeje, pasi nuk kishte më asnjë shenjë se 69 vjeçarja Falkevik Hagen, ishte e gjallë, ashtu si dhe pengmarrësit e saj që nuk po dëgjoheshin më.

70 vjeçari Hagen, investues në media dhe prona të patundshme, u arrestua dje teksa shkonte në punë, tha hetuesi i policisë Tommy Broeske.

“Çështja karakterizohet nga një planifikim manipulues i menduar mirë. Teksa të gjitha hipotezat e tjera janë dobësuar, dyshimet ndaj Tom Hagen gradualisht janë forcuar. Nuk ka pasur pengmarrje, palë negocjuese apo dhe negocjata të vërteta. Ato kishin qëllim vetëm të nxirrnin nga binarët hetuesit”, tha ai.

Prokurori Aase Kjustad Eriksson tha se do të kërkojë katër javë paraburgim për Hagen dhe se mund të ketë arrestime të tjera.

Avokati i tij tha se “mbron fuqimisht se nuk ka të bëjë asgjë me çështjen”.

Tom Hagen, nga një familje fermere me 12 fëmijë, i eci biznesi me pronat e patundshme, që nisi në 1978.
Gruan e tij të ndjerë ai e martoi në 19, ndërsa raportohet se ka një pasuri prej 1.7 miliardë krona ($161 milionë).

FOTO GALERI
5/5
Hetuesi i policisë Tommy Broeske tha se cështja karakterizohet nga një planifikim manipulues i menduar mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA