Ironizon Erjon Kristo: Qeveria ka bërë marrëveshje me COVIDIN, për të mos prekur gratë

29/04/2020 18:54

Në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ishte i ftuar pedagogu Erion Kristo. Pedagogu, e shikon si diskriminuese vendimin e qeverisë, për të nxjerrë në shëtitje mamatë me fëmijët, ndërsa baballarët janë të detyruar për të qëndruar në shtëpi. Për këtë arsye ai i është drejtuar Avokatit të Popullit. Këtë vendim, Kristo, e ka publikuar në rrjetet e tij sociale, tek shkroi:

“Thirrje publike drejtuar Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga diskriminimi.

Përshëndetje. Po ju drejtohemi me disa pyetje:

A është diskriminim moslejimi i fëmijëve mbi 10 vjeç për të dalë nga shtëpia në fundjavë?

A është diskriminim moslejimi i burrave dhe baballarëve për të dalë nga shtëpia në fundjavë?

A është diskriminim moslejimi i grave që nuk kanë fëmijë nën dhjetë vjeç për të dalë nga shtëpia në fundjavë?

Na ktheni përgjigje për këto pyetje. Nëse është diskriminim, tregoni zbatimin e ligjit për personat përgjegjës. Nëse nuk është, duam argumentimin përkatës. Faleminderit.

P.S. Ju bëj thirrje të gjithë njerëzve që duan përgjigje për këto pyetje, që ta mbështesin dhe përhapin këtë postim. Duhet t’i detyrojmë të përgjigjen duke reaguar të gjithë bashkë”.

Sakaq, pedagogu ironizon tek thotë se: “Mos këto kanë bërë një marrëveshje me Covidin, për të mos prekur gratë”.

“Pyetja që një fëmijë 11 vjeç thotë, po ti pse më linde me shpejt, të më lindje pak më vonë. Kjo është diskriminim brenda logjikës, pa hyrë fare në ligj. Çështja është shumë e thjeshtë. Çdo i burgosur ka të drejtë të ajroset një dy orësh. Këta kanë bërë ndonjë marrëveshje me Covidin për të mos prekur gratë. Nuk e di ku qëndron baza logjike, jo ligjore”, tha Kristo.

Top Channel