Top Talk – Bushati i PS-së: Menaxhimi i krizës një sukses. Shehaj i PD-së: Suksesi imagjinar, fondet fantazmë

27/04/2020 18:12

Sot në emisionin “Top Talk” ishin të ftuar deputeti i Partisë Socialiste dhe anëtar i komisionit të ekonomisë Ervin Bushati si dhe ish-deputeti Agron Shehaj, për të folur rreth masave të marra nga qeveria për përballimin e pasojave të krizës të shkaktuar nga epidemia e koronavirusit.

Deputeti i PS-së, Ervin Bushati shprehet se masat e marra nga qeveria kanë qenë të sukseshme në situatën në të cilën ndodhet vendi.

“Shqipëria në më pak se 4 muaj përballoi dy fatkeqësi natyrore por megjithatë bashkë arritëm të ja dalim mbanë, të paktën në fazën e parë të kësaj beteje që nuk do të jetë e shkurtër me një pandemi botërore. Masat që janë marrë, dhe emergjenca shëndetësore ka kaluar tregon se ne patëm një reagim në kohën e duhur dhe me masat e duhura për të parandaluar tragjedinë njerëzore, që nëse do të ecnim me një skenar italian do të ishte tek 1200 tragjedi familjare, apo edhe si ai i Belgjikës”.

“Masat që ka marrë qeveria kanë qenë të suksesshme. Kjo ka të bëjë me besimin e qytetarëve të bizneseve ndaj masave të qeverisë. Mënyra si orientohemi të gjithë bashkë ka të bëjë shumë me atë që do të ndodhi nesër. Sa më mirë të zbatojmë masat dhe rregullat aq më shpejt do të hapet ekonomia”.

Denis Dyrnjaja: Është vënë një fond prej 100 mln euro që kompanitë të marrin kredi për likuiditet apo gjithçka tjetër, ka të dhëna zyrtare sa sipërmarrje kanë marrë deri më sot kredi?

Bushati: Masat që po merren janë të një mase të madhe, të kombinuara në ndihmat ndaj qytetarëve, ndaj bizneseve dhe ndihma ndaj ekonomisë të vendit.

Në anën tjetër, Agron Shehaj është kritik dhe skeptik në raport me atë që qeveria ka bërë, dispozicionet e fondeve financiare që janë vënë për sipërmarrjet por edhe për të gjithë qytetarët e prekur nga papunësia

Shehaj: Nuk jam kritik, unë shoh shifrat. Do bëj të kundërtën e asaj që bënë qeveria unë dua të flas për numrat. Nëse shohim për çështjet e ndihmave dhe kredive ndaj biznesit të paketës së parë dhe të dytë, pastaj kredisë prej 100 mln euro. Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Në “Open” deklaroi se nuk ka pasur asnjë aplikim. Shteti shqiptar ka marrë masa për një vlerë prej 360 mln euro por po të shohim numrat janë ndryshe. Dimë që nga paketa e parë janë shpërndarë 10 mln euro (pagat e luftës) për të tjerat nuk dimë asgjë.

Top Channel