Rasti i parë me koronavirus në Mat, dalin analizat për 15 persona të tjerë. Flet për Top Channel administratori Likcani

25/04/2020 22:21

Ditën e sotme në Mat është konfirmuar rasti i parë me Koronavirus në fshatin Batër e Vogël, njësia administrative Komsi. Top Channel ka mësuar se nga analizat e marra nga 15 persona kanë rezultuar të gjitha negative.

Gjithashtu janë marrë masat për dezinfektimin e banesës së vajzës e cila ka rezultuan pozitiv nga CoVid 19.

Në një prononcim për Top Channel, drejtuesi i njësisë administrative Komsi Arlind Likcani është shprehur.

Arlind Likcani:

Njësia administrative Komsi njofton se sot, për fat të keq është konfirmuar rasti i parë me Covid 19 në fshatin Batër e Vogël (lagjja Pjezë), një vajzë e moshës 16 vjeçare ka rezultuar pozitive.

-Rasti sipas ekspertëve dhe hetimeve të tyre epidemiologjike dyshohet se është i ardhur nga Kruja dhe është rast i izoluar.

– Pacienti i infektuar është asimptomatik dhe është në izolim së bashku me familjen.

– Deri në këto momente familjarët rezultojnë negative pas testeve të bëra.

– Sot u janë marrë tamponë edhe personave që jetojnë në distancë afër banesës që mund të kenë risk më të lartë sipas eksperteve, të cilët kanë dalë negativ.

– Familjes i është siguruar ushqimi dhe çdo shërbim që u duhet nga ana e Bashkisë Mat , medikamentet e nevojshme nga Drejtoria Vendore e Shëndetit Publik Mat.

– Për të siguruar izolimin jemi në bashkëpunim me inspektorin e policisë së zonës dhe Kryetarin e Fshatit për monitorimin e rastit.

-Dezinfektimi i ambjenteve të jashtme të banesës është bërë sot , nesër do vazhdojmë me dezinfektimin e ambjenteve të brendshme të banesës .

– Jemi në kontakt të vazhdueshëm me rastin.

– Bashkë do ia dalim . Frikë jo, kujdes po.

Faleminderit!.

/Ariglon Pali/

FOTO GALERI
1/13

Top Channel