Pentagoni konfirmon shpërthim të Covid-19 në një tjetër luftanije, USS Kidd kthehet në port

24/04/2020 21:33

Luftanija amerikane USS Kidd Navy ka nisur rrugën e kthimit në port pasi Departamenti i Mbrojtjes konfirmoi se një marinar ka rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe është evakuar nga anija.

Zyrtarët thanë për agjencinë Reuters se tashmë në bord ka “rreth dymbëdhjetë raste pozitive”.

Luftanija ishte duke vepruar në lindje të oqeanit Paqësor, por Pentagoni tha se do të kthehet shpejt në port për dezinfektim, pa cilësuar se në cilin port.

Zhvillimi vjen pasi aeroplanmbajtësja Theodore Roosevelt pësoi shpërthim masiv të infektimit gjatë veprimit në pjesën aziatike të Paqësorit. Rrjedhimisht ajo u ankorua në bazën e ishullit Guam ku rreth 850 anëtarë të ekuipazhit (nga totali prej 4,800) rezultuan pozitivë me virusin.

Deri së fundmi, vetëm një nga marinarët pësoi komplikacine dhe ishte shtruar në kujdes intensiv në spitalin ushtarak të Guam.

Sot Pentagoni tha se aeroplanmbajtësja Roosevelt “nese nevojitet do të ngrejë spirancat e do të dalë në det, pasi një vetëm një numër i vogël detarësh kanë shfaqur simptoma të sëmundjes”.

Top Channel