Thuajse gjysma e njerëzimit është e mbyllur në shtëpi dhe në pak raste mund të kenë përjetuar një jetë më të izoluar se kjo.

Nuk ecin më, nuk bëjnë sport, i dedikohemi gjithnjë e më shumë pastrimit të shtëpisë dhe e vetmja arratisje, është një vizitë e shpejtë në supermarket. Por asnjëherë më parë nuk jemi ndjerë më të lodhur se kaq. Përse ndodh kjo? Lodhja e këtyre ditëve, nuk është gjë tjetër veçse përgjigjia e fizikut tonë ndaj një mbingarkese mendore dhe emotive e lidhur me një situatë izolimi dhe ankthi, mes mijëra problemeve dhe pak sigurive. Por sidoqoftë, ekspertët thonë se mundemi të reagojmë: ose më mirë, duhet ta bëjmë këtë.

Izolimi na ka detyruar të heqim dorë nga të gjitha zakonet dhe siguritë tona. Nga revolucioni në botën e punës deri tek frika e infektimit, ose e humbjes së një personi të dashur, nga shqetësimi për ata që rrezikojnë të mos mund ti rikthehen aktiviteteve të tyre e deri tek nevoja e mbajtjes në shtëpi të fëmijëve pa kopshte e shkolla: të gjitha këto janë realitete që kanë pasoja të rënda në mendjen tonë dhe në sferën tonë emotive. Por ekspertët thonë se po jetojmë një situatë shumë të veçantë dhe lodhja që na ka mbërthyer është në një masë të madhe normale. Aktivitetet tona të përditshme, si puna, mbajtja e kontakteve me prindër e miq, pak aktivitet fizik, janë përfundimisht më të lodhshme kur jemi të lirë.

Por sa më pak aktivë jemi, aq më të lodhur ndjehemi. Ekspertët thonë se edhe në këto kushte dita mund të planifikohet, me disa aktivitete që janë një armë fituese kundër pasojave negative të izolimit, përfshirë lodhjen. Duke krijuar një rutinë aktivitetesh si zgjimi në një orë të caktuar, gatimet, punët, aktivitet fizik në kushtet e shtëpisë, dhe çlodhje po ashtu. Ndërkohë që telefoni është tani një ndihmë e madhe.

Ideja ndoshta nuk do ti pëlqejë të gjithëve, por aktiviteti fizik, me shumë lodhje dhe djersë, është mënyra më e mirë për të mundur ankthin dhe për të rekuperuar pak energji. E duke qenë se nuk mund ta bëjmë ende në ambjent të hapur këtë, mund të përshtatemi disi edhe në shtëpi…. Por, nëse lodhja bëhet dominuese dhe na pengon psh të ngrihemi në mëngjes, atëherë, thonë ekspertët, duhet ndihma e një profesionisti.

Top Channel