Bogdani: Do pranoja të isha trajner i Partizanit ose Tiranës, ja si e refuzova Benficën për Regginan!

24/04/2020 23:02

I ftuar në Fan Zone këtë të premte në një lidhje live me Skype ishte edhe ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare Erjon Bogdani, i cili kujtoi episode të rëndësishme nga karriera e tij si futbollist por edhe si trajner, ndërsa dha një mendimin për rifillimin ose jo të kampionatit. Bogdani theksoi gjithashtu se do t’i pëlqente që një ditë të ishte trajner i Partizanit ose Tiranës.

“Mendoj që më mirë të zhvillohet kampionati sesa të jepet diçka në tavolinë. Kombëtarja e 19-vjeçarëve? Nuk kam asnjë peng. Por kisha përballë skuadra shumë të forta si Ukraina dhe Norvegjisë, që kishte edhe një lojtar si Haland që tashmë e duan ekipet më të mëdha”.

“E ardhmja? Para Koronavirusit unë isha në bisedime me disa presidentë, por pandemia komplikoi shumë gjëra dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.

“Kemi një ide për ndeshje miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë, me legjendat. Miqësorja e janarit ishte diçka shumë e mirë sepse shumë lojtarë e pranuan ftesën menjëherë. Unë kam folur me disa ish-lojtarë të kombëtares dhe janë të gatshëm të luajnë një ndeshje miqësore, dhe të ardhurat të shkojnë për mjekët dhe familjet në nevojë”.

“Trajner te Partizani ose Tirana? Nuk e kam aspak problem. Jam i hapur për çdo lloj bisedimi. Nëse është një projekt serioz atëherë do ta pranoja”.

“Goli i preferuar? Me Kombëtaren do veçoja golin ndaj Qipros sepse ishte një gol i rrallë dhe e kisha bërë më parë. E parandjeva që do shënojë dhe ia arrita ta shënoja. Ndërsa me ekipet ka qenë një nga golat ndaj Torinos gjatë kohës kur isha te Chievo”.

“Me Rakllin jam ndjerë mirë, gjithashtu edhe me Sadikun dhe Salihin. Shpresoj që të arrijmë suksese të mëdha te Shqipëria, të arrihet një kualifikim në Europian dhe Botëror”.

“Te Kombëtarja në ndeshjet deçizive ne nuk ishim të kujdesshëm. Edhe kundërshtaret i kemi pasur shumë të forta. Në ndeshjet e mëdha ne kemi çaluar, prandaj ne nuk kemi arritur suksese. Kur kujtoj Kombëtaren bëhem shumë nostalgji”.

“Transferimin e parë në Itali te Reggina e kujtoj shumë mirë, dhe ndërkohë që merkato mbyllej në 12 të natës, unë u transferova në 22:30, më 31 janar. Kisha oferta të shumta në atë kohë nga Bundesliga, por edhe nga Benfika. Kur presidenti i Zagrebit më tha që do kaloja në Itali, isha shumë i emocionuar. Me Sienën jam ndjerë më mirë.”, u shpreh Bogdani për “Supersport”.

Top Channel