Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e djeshme në një fshat të Klosit ku si pasojë e djegies së banesës ka humbur jetën një 80 vjeçare.

Ngjarja ndodhi në fshatin Plesh të Bashkisë Klos, ku Behije Dalti u shkrumbua nga zjarri i rënë në banesën e saj. Kanë qenë komshinjtë që kanë vënë re flakët në shtëpinë e të moshuarës duke i shkuar menjëherë në ndihmë, por neutralizimi i tyre ka qenë i pamundur për shkak se kishte marrë përmasa të mëdha.

As ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës nuk ka arritur t’i shpëtojë jetën të moshuarës e cila ka gjetur vdekjen mes flakëve.

Për shkak të mungesës së rrugës, fikja e zjarrit është bërë me mjete rrethanore nga banorët dhe zjarrfikësit.

Behije Dalti jetonte e vetme prej 20 vitesh në këtë banesë pasi burri i kishte ndërruar jetë dy dekada më parë. Ajo nuk ka asnjë të afërm tjetër dhe varrimin mund ta bëjnë komshinjtë ose Bashkia e Klosit.

Top Channel