Covid-19 më herët në Kaliforni, 2 raste vdekjesh para shpalljes së rastit të parë zyrtar

23/04/2020 01:30

Rezultatet e autopsisë treguan se dy kalifornianë kanë vdekur nga koronavirusi disa javë përpara se në SHBA të shënohej rasti i parë i sëmundjes. Këto dy vdekje tani po konsiderohen si të parat e lidhura në vend me Covid-19.

Zbulimi tërheq vëmendjen tek pyetja: që kur ka nisur virusi të përhapet vërtet në Amerikë? Vdekjet në fjalë janë regjistruar në 6 dhe 17 shkurt. Deri tani, vdekja e parë nga Covid në SHBA konsiderohej ajo e shënuar në 29 shkurt në Kirkland, Washington.

Zhvillimi vjen në kohën kur presidenti Donald Trump përshëndeti hapat e një pjese të vogël shtetesh amerikane me guvernatorë republikanë për të nisur rihapjen e ekonomive të tyre megjithë paralajmërimet se infeksionet me koronavirus mund të njohin një rritje të re.

Mbi 10 shtete në SHBA, kryesisht ato në jug, si Xhorxhia, Karolina e Jugut dhe Tenesi, që kanë guvernatorë republikanë, po zbutin udhëzimet e qëndrimit në shtëpi, duke lejuar disa biznese jo thelbësore të rihapen, me shpresën për të rigjallëruar ekonominë. Vdekjet nga COVID-19 në SHBA, e kaluan shifrën 45.200 në mbarë vendin ndërsa rastet e të prekurve kanë shkuar në më shumë se 811,000.

Top Channel