“Lëngu i artë”/ Fantastike! U trajtua me plazmën e të shëruarve, gruaja shtatzënë fiton betejën me Covid-19

22/04/2020 11:15

Një nënë e re italiane ka mundur të shërohet nga Covid-19 duke lënë kështu dyert e spitalit në rajonin e Lombardisë, pas trajtimit me plazmaterapi, mundësuar nga gjaku i dhuruar prej pacientëve që fituan betejën me koronavirusin. Ajo është nga rastet e rralla në botë që i nënshtrohet terapisë, edhe pse shtatzënë.

28-vjeçarja, Patricia Vincenci, u largua këtë javë nga dhoma e spitalit, ku qëndroi e shtruar prej dy javësh me simptoma të rënduara të virusit. Nëna e re nga qyteti lombardez i Montovës tha se terapia me plazmë i dha asaj jetë të re, prandaj edhe vajzën e dytë që pret të lindë do e quajë Beatriçe Vitoria, në emër të fitores së betejës më sëmundjen infektive.

“Plazma më riktheu në jetë. Unë isha në depresion, por gjeta profesionistë të jashtëzakonshëm”, u shpreh nëna e re para se të kthehej në shtëpi, pas tamponit të dytë që rezultoi negativ.

Doktorët italianë menduan të shfrytëzojnë plazmaterapinë për të evituar komplikacionet dhe për të mbrojtur jetën e fetusit.

Sipas Spitalit të Pneumonologjisë, 28-vjeçares Vincenci për këto arsye iu refuzua trajtimi me respiratorë, ndërsa pas injektimit të plazmës, përmirësimi i shëndetit të saj ishte i dukshëm.

Praktika e plazmaterapisë përdoret që nga vitet 1800, thonë profesionistët italianë, por ende janë në pritje të rezultateve për Covid-19 pasi është herët për të vërtetuar sukseset e deritanishme. Plazma e gjakut me antitrupat kundër pandemisë është konsideruar si lëngu i artë dhe po përdoret në shumë spitale të botës.

 

Top Channel