Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez thotë se qeveria e tij planifikon të fillojë zbutjen e masave të izolimit në vend, në gjysmën e dytë të majit.

Këto kufizime do të zbuten ngadalë dhe gradualisht për të garantuar sigurinë, tha kryeministri Sanchez në sesion parlamentar. Ai sidoqoftë pritet të shtyjë gjendjen e emergjencës në vend, deri në 9 maj. Qeveria spanjolle vendosi të izolonte vendin më 14 mars. Spanja ka numrin e dytë më të lartë të rasteve të koronavirusit në botë, 208389, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe para Italisë.

Por, vendi ka vendosur që të zbusë pak qëndrimin me fëmijët. Ata aktualisht nuk lejohen të dalin nga shtëpitë, për asnjë arsye. Të martën qeveria tha fillimisht se fëmijët do të lejohen të dalin nga shtëpitë por vetëm nën kujdesin e prindërve të tyre. Dhe pas shumë diskutimesh, rregulli u zbut akoma më tej; duke filluar nga e diela, fëmijët deri në moshën 14 vjec, do të lejohet të dalin për shëtitje, të shoqëruar nga një i rritur.
Më herët, bizneset e ndërtimit dhe prodhimit u lejuan të rifillonin punën, por nën rregulla strikte të distancimit sociale dhe masa sigurie.

Top Channel