Infektohet shoferi i autobusit/ 62-vjecari punon në një rrobaqepësi. e infektuar dhe bashkëshortja

22/04/2020 20:59

Një çift burrë e grua në lagjen “5 Maji” janë vatra e fundit e identifikuar me Covid 19 në Elbasan. 62 vjeçari punonte si shofer i punëtorëve të një fasonerie dhe ky fakt ka ngritur shqetësimin e një shtimi të mundshëm të menjëhershëm të rasteve. Gjendja shëndetësore e 62 vjeçarit paraqitet e qëndrueshme, ai është vetëizoluar në shtëpinë e tij, ndërsa bashkëshortja është dërguar në spitalin Covid në Tiranë.

Drejtoria e Shëndetit Publik ka nisur identifikimin e punonjësve që kanë qenë në punë këtë periudhë për të nisur tamponimet e tyre. Gjithashtu do t’i nënshtrohen analizës edhe familjarët e tjerë të çiftit të prekur.

Ajo që mbetet e paqartë është origjina e infektimit në këtë rast. Ndërkohë që autoritetet po punojnë në këtë drejtim, të gjitha dyshimet çojnë që 62vjeçari të ketë qenë klient në restorantin që u bë vatra më e madhe e infektimit në Elbasan.

Nëse është kështu, nga 18 të prekur që ka sot Elbasani gjithsej, 6 prej tyre, dy familje, kanë historik nga të kthyerit nga jashtë, ndërsa 12 të tjerë janë infektuar në këtë lokal.

Pas 11 ditësh kur dukej se Elbasani po merrte frymë pa Covid 19, paniku është rikthyer dhe tashmë në përmasa më të mëdha nëse marrim parasysh që 62 vjeçari ka qenë shofer autobusi punëtorësh të një fasonerie.

Top Channel