Studentes nga Kosova që ka përfunduar studimet në një universitet privat në Tiranë Ministria e Arsimit jo vetëm dështon t’i verifikojë dokumentacionin por gjatë procesit gjyqësor i thotë se vajza nuk ka njohjen e gjuhës shqipe.

Fiksi bashkë me të atin e vajzës gërmojnë në Arkivën Qëndrore ku gjejnë regjistrat që ka depozituar Ministria. Vajza rezulton me numër matrikullimi dhe me diplomën e përfunduar nota 10.

Redona Susuri, studente nga Kosova, mbaron studimet në vitin 2014 me rezultate të shkëlqyera sistemin tre vjeçar në degën “Teknik Laboratori”, në një universitet privat në Tiranë, të liçensuar dhe akredituar. Ministria e Arsimit Prishtinë, vendosë të mos i njoh diplomën bachelor, për shkak se Ministria e Arsimit Tiranë, dështon në dërgimin e saktë të informacionit. Ministria e Arsimit në Tiranë, pretendon se nuk ka patur regjistrat e rregullt të këtij Universiteti, pasi janë dërguar në Arkivin Qendror. Sipas tyre në regjistra vajza figuron pa numër matrikulli dhe pa diplomë të përfunduar. Ndërkohë Qendra e Shërbimeve Arsimore Tiranë, i kthen përgjigje Ministrisë së Kosovës që diploma që Redona Susuri zotëron, është autentike, por nuk pranon të plotësojë formularin për njohjen e saj.

Redona e vendosur të gjej drejtësi, hedh në gjyq Ministrinë e Arsimit, kjo e fundit jo vetëm që nuk pranon t’ja njoh diplomën, duke nxjerrë lloj- lloj pretendimesh, që nga mungesa e numrit të matrikullimit dhe deri tek fakti që vajza nga Kosova duhet të kishte diplomë të njohjes së gjuhës shqipe. Gjykata i rrëzon kërkesën vajzës pasi nuk sjellë dot prova të mjaftueshme për të vërtetuar që ka përfunduar studimet.

Në Fiks Fare u ankua babai i Redonës, Hazër Susuri. Gjatë intervistës ai thotë se kërkesën për njohjen e diplomës e ka bërë në Ministrinë e Kosovës qysh në vitin 2016. Por nga Ministria e Shqipërisë kanë marrë një përgjigje vetëm pas 3 vjetësh. Të gjitha përgjigjet kanë qenë të cunguara, pasi QSHA i ka konfirmuar që diploma është autentike por nuk pranojnë të plotësojnë formularin që kërkon Ministria e Arsimit në Kosovë. Ndërkohë specialistët e Ministria e Arsimit në Tiranë i thonë që regjistrat janë në Arkivin Qendror, por sipas kontrollit që ata kanë bërë, vajza figuron pa numër matrikulli dhe datë të përfundimit të studimeve. Pas shumë vitesh sorollotja, të dyja Ministritë akoma nuk i kanë dhënë një zgjidhje. Si përfundim vajza e tij vendosi të hedh në gjyq Ministrinë e Arsimit, në Tiranë, por sipas tij gjatë procesit gjyqësor Ministria nxori ndër të tjera pretendimin që vajza nuk kishte çertifikatë të njohjes së gjuhës shqipe.

Gjatë trajtimit të kësaj problematike nga Fiksi Hazër Susuri u paraqit sërish pranë Ministrisë së Arsimit ku pavarësisht këmbënguljes të tij dhe dokumentacionit kontradiktor specialistët vazhdojnë t’i qëndrojnë faktit që ata kanë bërë ç’kishin mundësi dhe se dokumentet ishin tashmë në Arkiv Qendror. Gjithashtu ai u interesua edhe pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore ku specilisti i cili i ka komunikuar me Ministrinë e Arsimit Kosovë duket se e njeh shumë mire problematikën. Madje ai i thotë z. Susuri se është munduar shumë ta ndihmojë Redonën pasi ajo ka të drejtë, dhe se me kaq shumë vajtje e ardhje që ka bërë ai nga Kosova në Tiranë Redona, e bija do të kish mbaruar një tjetër universitet privat. Specialisti i rikonfirmon faktin që diploma e lëshuar nga Universiteti privat është autentike, por pretendon se nuk mund të plotësojë formularin e kërkuar nga ata pasi QSHA nuk ka asnjë dokumentacion.

Ai i thotë zotit Susuri që të paraqitet edhe një herë në Ministrinë e Kosovës, ku i jep edhe një emër për të kontaktuar dhe se në momentin që të jetë aty të marr në telefon edhe ai do ta konfirmoj edhe një herë se diploma është autentike. Por të nësërmen e këtij takimi specialisti nuk i përgjigjet në telefon, ndaj edhe një herë Hazër Susuri gjendet para asnjë zgjidhje.

Bashkë me gazetarët e Fiksit Hazër Susuri kërkon të verfikojë vet dokumentacionin e të bijës pranë Arkivit Qendror Shtetëror Tiranë. Me firmë e vulë të njomë, zyrtarisht marrim një kopje të regjistrave të dorëzuar nga Ministria e Arsimit në këtë institucion. Në këtë dokumentacion Redona Susuri, rezulton me numër matrikullimi dhe me notë të përfundimit të diplomës 10. Gjatë intervistës babai thotë se këtë punë duhet ta kish bërë Ministria e Arsimit, as Fiksi dhe as ai. Mos verifikimi nga ana e tyre solli vendimin e Ministrisë së Kosovës për mosnjoheje të Diplomës duke penalizuar kështu vajzën e cila nuk e ushtron dot profesionin si teknike laboratori për shkak të kësaj amullietë krijuar nga Ministria e Arsimit në Shqipëri.

Top Channel