Dezinfektimi në tregun e Sarandës/ Masat për distancimin social edhe pse nuk ka asnjë rast me Covid-19

20/04/2020 20:32

Ky është tregu ushqimor në qytetin e Sarandës ku prej më tepër se një jave është duke funksionuar kjo kabinë dizinfektimi.

Megjithëse në qytetin e Sarandës ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar apo të dyshuar me Covid 19 masat kanë qenë shumë të rëndësishme për të garantuar distancimin social të qytetarëve që kryejnë blerjet.

A keni frikë?

” Frikën e kemi dhe stresin e kemi por halli na bën se ku do mbështetemi, jemi burrë e grua vetë i pestë në shtëpi me këtë mbahemi”

“Distanca ruhet, siç vemi në supermarket dhe mbajmë distancë edhe këtu e respektojnë. Ne këtu kemi ngelur shumë pak tregtarë dhe jemi larg nga njëri-tjetri. Këto gjëra i respektojmë në radhë të parë për veten për familjen dhe për gjithë njerëzit”.

E ke prodhuar vetë maskën?

”Po vetë.Vajta në farmaci, nuk gjeta, një herë, dy herë, pesë herë dhe u detyrova e bëra vetë, unë dhe shoqet e mia.”

“Jam invalide por ka një vit që ma kanë hequr, ndihmë s’marr, ushqime s’marr nuk më dha njeri kështu që jam e detyruar këtu do dal”

“Edhe frikë kemi por ne rrimë shumë larg, dezinfektojmë njerëzit që vijnë dhe ikin sipas rregullit”

“Fashat janë absolute. Ora 5 ora 5.30 në mbrëmje bien sirenat e policisë, Saranda hesht.”

Në tregun e Sarandës operojnë për momentin jo më shumë se 30 tregtarë që janë gati gjysma e atyre që shisnin këtu para pandemisë. Tregtarët na thonë se një pjesë e atyre që shisnin janë të moshuar dhe në pension dhe e kanë zgjedhur si masë mbrojtëse qëndrimin në shtëpi. Një tjetër kategori tregtarësh vinin nga zonat përreth dhe janë shitës nga fermat e vogla që rrethojnë Sarandën të cilët e kanë të pamundur për shkak të izolimit të qarkullimit ardhjen në treg.

” Ka rënë shumë se është bllokuar komplet fshati. Ata që binin mallin e binin më të lirë dhe qytetari e merr më të lirë. Ky mall që vjen nga lart nga Lushnja.”

“Çmimet dihet që janë një çik të larta tani. Kur nuk ka punë e vështirë është çdo gje sepse janë me orar. Çdo bësh në 90 minuta.”

Saranda ende nuk ka asnjë person të infektuar me Covid 19 megjithatë frikën qytetarët e Sarandës e shohin të lidhur me tregtarët që furnizojnë qytetin por edhe me qarkullimin me qarqet e tjera të vendit.

Top Channel