Premier League duket e bindur të rinisë sa më shpejt aktivitetin futbollistik, për të çuar deri në fund sezonin, pasi klubet duan të shmangin humbjet e mëdha ekonomike, por ka lojtarë të caktuar që kanë ende frikë të zbresin në fushën e lojës.

Një nga ata është braziliani i Chelseat, Willian, i cili deklaroi se duhen bërë mirë llogaritë, pasi ekziston rreziku që futbolli të shndërrohet në një zinxhir të përhapjes së virusit vdekjeprurës në të gjithë shoqërinë.

“Duan të rifillojmë me dyer të mbyllura, por futbolli është sport kontakti dhe ne do të kemi përplasje me futbollistë të ndryshëm, ndonjëri prej të cilëve mund të jetë i infektuar. Më pas do të shkojmë në shtëpi dhe të përqafohemi me familjarët, duke u shndërruar pa dashje në një zinxhir përhapjeje të koronavirusit. Edhe me Hudson-Odoy takoheshim e shtrëngonim duart rregullisht, por vetëm disa ditë më vonë mësuam se ishte pozitiv”, deklaroi braziliani.

Willian ka kontratë me Chelsean deri në 30 qershor të këtij viti dhe ka refuzuar ofertën e londinezëve për të rinovuar, pasi duket se në moshën 32-vjeçare, është i prirur të provojë një eksperiencë të re, ndoshta në një kampionat tjetër.

Top Channel