Infektohen punëtoret e fasonerisë / Mbyllet fabrika e këpucëve dhe tregu në Krujë, 11 të infektuar

17/04/2020 20:21

Ka shkuar në 11 numri i të infektuarve me Covid 19 në bashkinë e Krujës. Tre punonjëse fasonerie, fabrike këpucësh, dhe djali i një prej punonjëseve të së njëjtës fabrikë, me banim në Fushë Krujë, e cila rezultoi pozitiv disa ditë më parë. Të katërt personat ndodhen nën kontroll mjekësor, po rastet e reja kanë përhapur panik tek banorët e qytetit të Krujës. Policia ka përforcuar kontrollet e lëvizjeve në rrugë, ndërsa si masë të menjëhershme bashkia ka mbyllur tregun e fruta perimeve të qytetit, ku blerësit nuk respektonin distancat. Edhe fasoneria është mbyllur. 

Drini Masha, bashkia Krujë

”Ajo që ndodhi nuk është një lajm i mirë për qytetin. 3 rastet e reja në qytet dhe ai në Fushë Krujë të detyrojnë të shtosh vigjilencën dhe të marrësh edhe më shumë masa nga ç’ishin marrë deri më sot. Një nga këto është mbyllja e tregut, një nga hapësirat ku ka pasur probleme dhe do të qëndrojë i bllokuar deri në një vendim të dytë. Është rritur vigjilenca edhe nga policia e shtetit. Distancimi social është pika kyçe. Receta e vetme për të ndaluar këtë pandemi. Shpresojmë fort që hetimi dhe gjurmimi që po i bëhet rasteve të mos nxjerrë raste të reja.

Si po menaxhohet situata në fasoneritë e tjera?

”Nga komunikimet që kemi pasur me to është monitoruar situata, por ata vetë kanë kërkuar të bëhet pezullimi i përkohshëm i aktivitetit. Kjo për shkak të koronavirusit dhe uljes së prodhimit në kompanitë e tyre.

Pse pikërisht sot po i vendosni distancat?

”Për të qenë sa më të sigurtë, që të shpëtojmë jetën tonë, si për klientët, si për ne shitësit që jemi para një rrezikshmërie shumë të madhe. Po të mos mbajmë rregull jemi para vdekjes.”

”Detyrimisht edhe blerësit do e kuptojnë tani e do të respektojnë distancat.”

Pas rasteve të reja në Krujë e Fushë Krujë, epidemiologët kanë zbritur në terren për të gjurmuar kontaktet e rasteve që rezultuan pozitiv. Rreth 30 tamponë janë marrë dhe në vazhdim priten rezultatet e këtyre testeve.

Top Channel