Në studion e emisionit “Top Talk” drejtuar nga gazetari Denis Drynjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” Sekretari i Përgjithshëm i “Prodhuesve Shqiptar” Arben Shkodra.
Gjatë fjalës së tij Shkodra e cilësojë paketën e emergjencës së ngritur nga qeveria si një makijazh, pasi sipas tij biznesi ka ende nevojë për ndihmë.
Ai pretendon se sipërmarrjes së fuqishme ose e thënë ndryshe biznesit të madh i ka rënë “mbi kurriz” barra e mbështetjes sociale. Sepse këto struktura po “detyrohen” në një farë mënyre nga qeveria që të paguajnë punëtorët, edhe pse bizneset aktivitetin e tyre e kanë ndaluar. Ndërkaq, Shkodra dëshiron që kjo paketë e premtuar nga qeveria të miratohet dhe të jetë në formën e një dokumenti. Po ashtu ai shtoi që qeveria të ndihmoj drejtpërdrejt biznesin dhe të mos shpërndahet më së shumti në asistencat sociale, pasi po krijohet një armatë e vërtetë me to, ndërkohë që nga ana tjetër biznesi po rrënohet.
Denis Dyrnjaja: Duke qenë një person i interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, jeni njohur me masat e marra nga qeveria me një paketë mbështetëse prej 150 milionë eurosh nga qeveria. Cili është vlerësimi juaj?
Arben Shkodra: Është një reflektim i kërkuar nga ana jone e qeverisë, e cila paraqet le të themi një lloj lehtësire në lidhje me suportin që mund t’i japi sipërmarrjes në tërësi dhe mund të përfitojë edhe sipërmarrja prodhuese. Natyrisht kjo është një ndërhyrje mjaft e lehtë, është një makijazh për ne pasi do të kishim pasur shumë dëshirë të kishim një qasje edhe më herët dhe më të rëndësishme nga ana qeverisë.
Denis Dyrnjaja: Përse është një makijazh dhe çfarë duhet ishte bërë më herët?
Arben Shkodra: Ne na është lënë në këtë rast e gjithë barra e mbështetjes sociale. Arsyeja është sepse gjithmonë qeveria ka kërkuar që ne të mbajmë në kurriz, ose të kontribuojmë, sakrifikojmë, duke vazhduar të mbajmë punonjësit në punë dhe duke u dhënë këtyre punonjësve pagat. Edhe pse produktiviteti ka filluar të binte. Sot që flasim ka rënë, në një masë prej 60%. Këtë e tregojnë dhe sondazhet që ne kemi kryer jo më larg se pardje. Ky sondazh paraqiti të gjithë situatën e sipërmarrjes prodhuese dhe ndryshe nga sondazhi i parë që ishte në javën e parë të gjendjes së emergjencës. Në sondazhin e dytë u pa që shifrat filluan të dyfishoheshin, për sa i përket problematikave dhe vështirësive. Kur themi makijazh do të thotë që është një masë shumë e lehtë, pra është një masë që është e përciptë pothuajse. Akoma nuk dimë dhe nuk mund të themi që kjo masë është e duhura, për aq kohë sa nuk kemi parë sot një dokument të shkruar ku flet për këtë masë.
Denis Dyrnjaja: Qeveria ofroi fond garancie që bankat të kreditojnë biznesin. Vendosi të ndërhyjë në marrëdhënien qiradhënës-qiramarrës. Shtyu afatet e pagesës së tatim-fitimit dhe ka vendosur që të japë pagën e papunësisë, që në fakt është një detyrim, por ai e quan paga e luftës, për ata që janë të papunë. Por edhe të paguajë edhe pjesën tjetër të të punësuarve të pezulluar me një pagë prej 40 mijë lekësh të reja. A janë të mjaftueshme këto masa për të kapërcyer përballjen e parë me pasojat që na shkaktoi koronavirusi? Përse ju e quani makijazh këtë?
Arben Shkodra: Nuk janë të mjaftueshme, sepse është mënyra sesi po veprohet në mënyrën e gabuar. Ajo që kemi kërkuar është të krijojmë elasticitetin e duhur të sipërmarrjes, e cila më pas të mbajë në kurriz edhe pjesën e punëmarrësit. Qeveria duke mos mbështetur punëdhënësin, e dërgon automatikisht në një fenomen tjetër. Fenomeni që është që sipërmarrja do ta heq nga puna sepse nuk do të vazhdojë të mbijetojë në humbje dhe e gjithë punëmarrësit shkojnë në një regjim tjetër, që është ajo e asistencës sociale. Për sa kohë do ta mbajë shteti këtë asistencë sociale? Nëse nuk ndërhyhet tek sipërmarrjet nëse nuk ndërhyhet tek biznesi. Me qëllim që të vazhdojë të mbajë në punë këta njerëz edhe pse produktiviteti ka rënë. Por të përgatitet për rikthimin në normalitetin e ri. Unë besoj që po dëmtojmë qoftë sipërmarrësin që do të rikthehet me shumë vështirësi dhe ndoshta fare, por po dëmtojmë edhe punëmarrësin. Në këtë rast punëdhënësi dëmtohet se do të ketë vështirësi të llahtarshme për t’u rikthyer, se po vazhdojnë t’i mungojnë likuiditetet, po i humbin tregjet, furnitorët janë të pa paguar. Ndërkohë që po krijojmë një armatë të madhe të asistencës sociale, e cila më pas ku do të shkojë.
Top Channel