Teksa vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur izolimin si mënyrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, disa shpresojnë se një zgjidhje për këtë situatë mund të jenë edhe testet e antitrupave.

Të njohura ndryshe si teste të serologjisë, ato nuk kanë për qëllim të diagnostikojnë infeksionin aktiv të koronavirusit, por përmes kampioneve të gjakut kontrollojnë proteinat në sistemin imunitar, të njohura si antitrupa.

Prania e tyre do të thotë se një person ka qenë i ekspozuar ndaj virusit, e ka kaluar dhe ka zhvilluar antitrupa kundër tij, çka mund të nënkuptojë se ai ka krijuar njëfarë imuniteti. Këto teste mund të diagnostikojnë infeksionet përmes një kampioni që më pas testohet për një material gjenetik viral.

Në Shtetet e Bashkuara, siç shpjegoi drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci, po punohet për të vënë në dispozicion edhe një numër të rëndësishëm testesh të antitrupave. Aktualisht, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave të SHBA-së nuk ka aprovuar asnjë test antitrupi për koronavirusin, por për një test të bërë nga Cellex Inc. është dhënë autorizim për përdorim urgjent.

Prania e antitrupave mund të ndihmojë në identifikimin e atyre që janë infektuar, por nuk e kanë kuptuar asnjëherë se e kishin sëmundjen. Edhe pse nuk dihet me siguri sesa mund të zgjasë imuniteti i krijuar ndaj Covid-19, disa ekspertë që i referohen rasteve të mëparshme me koronavirusin Mers, thonë se ai mund të shkojë nga 10 muaj deri në një vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA