Bilanci i vdekjeve nga koronavirusi në Britani mund të jetë 15% më i lartë sesa shifrat zyrtare, thotë shtypi vendas.

Deri në 3 prill, vdekjet e raportuara në spitale nga NHS, sistemi shëndetësor britanik, ishin 5,186, ndërsa statistikat e qeverisë jepnin një shifër tjetër, 5,979, duke përfshirë këtu dhe jetët e humbura të regjistruara në azilet e pleqve. Britania e Madhe ka gjithsej 11.329 vdekje nga Covid 19 e mbi 88.600 të infektuar.

Vendi i nisi masat e izolimit në 23 mars, duke mbyllur shkolla, restorante e shumë dyqane. Njerëzve u është kërkuar të dalin jashtë vetëm për gjëra thelbësore. Prej koronavirusit u prek edhe vetë kryeministri Boris Johnson. Në SHBA ndërkohë ka pretendime se injorimi i sinjaleve të sëmundjes vonoi reagimin e duhur të autoriteteve ndaj pandemisë. Në një intervistë gjatë takimeve të Davosit, në 22 janar, Donald Trump nuk i kushtoi rendësi virusit që kishte goditur Kinën, ndërkohë që një rast i vetëm ishte identifikuar në SHBA, thotë Associated Press.

“E kemi plotësisht nën kontroll. Vetëm një individ që ka ardhur nga Kina, e kemi nën kontroll. Gjithçka do të shkojë mirë”, pat thënë ai atëherë. Në 11 javët që kaluan nga ajo intervistë, koronavirusi u shfaq në çdo cep të globit. Sot numri I të prekurve nëpër botë ka mbërritur në gati 2 milionë, ndërsa vdekjet janë rreth 121 mijë. Si rezultat i epidemisë, janë vënë në zbatim izolime në masë, janë mbyllur shkolla e biznese, e janë goditur rëndë ekonomitë duke lënë mjaft njerëz pa punë.

Top Channel