Kemi nisur në rubrikën e Vitrinës së Librit një kolonë me titullin ‘Librat që më bënë mua’.
Kjo është një mënyrë për të gëzuar në këto ditë të zymta karantinimi por dhe një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë vetes dhe lexuesit nëpërmjet një forme tjetër alternative, vec leximit, te dëgjuarit muzikë apo dhe ndjekjes së një filmi. Mendoj dhe besoj fort se është një mendim shumë frymëzues për të luftuar të keqen, që sot ndihet më shumë se në një botë të lirë. Ky do të jetë një koleksion i përsosur i disa personaliteteve publik mbi atë cfarë librat kanë përcjellë në jetët e tyre. Nuk e di nëse kjo rubrikë mund të shkojë përtej kohës së karantinimit të të gjithëve, por një gjë e di me siguri: kjo është një rubrikë që jashtëzakonisht në një kohë të ardhme do t’u shërbejë të rinjve për të mësuar mbi përvojat e leximit të secilit personazh – librat e tyre të parë, kujtimet e hershme, si ata janë bërë lexues të mirë dhe çfarë i bën lexues ata sot. Personazhi ynë sot është:
Prof.Dr. Adrian Civici
Doktor në shkencat ekonomike (ENSA, Montpellier, Francë, 2002) dhe doktor në Ekonomi Agrare (Universiteti Bujqësor i Tiranës, 1993). Në 1995 merr titullin “Profesor i Asociuar” dhe në vitin 2011, titullin “Profesor” në shkencat ekonomike. Gjatë karrierës profesionale ka punuar si: Përgjegjës i Departamentit të Ekonomisë dhe Politikave Agrare (1992-1996), Dekan i Fakultetit të Ekonomisë Agrare në UBT (1996-2001); Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Studimeve Rurale dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm (1998-2005); Këshilltar i Ministrit të Financave (2001-2002); Drejtor i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social të Shqipërisë (2002-2006); Këshilltar për Planin Zhvillimor pranë Qeverisë së Kosovës (2006-2007); Rektor i UET (2007-2010); Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (2005-2014); President i UET (2012-2019). Aktualisht Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Autor i shumë librave e artikujve brenda dhe jashtë vendit, etj. Në 2009, A.Civicit i akordohet nga Presidenca Franceze dhe Akademia e Shkencave të Francës titulli “Kalorës i Palmës së Artë Akademike”.
M. S.: Cilët janë ata libra që ndikuan në personalitetin tënd?
A. Civici: Vështirë të jem 100% i saktë, por gjithsesi do vecoja disa libra që kanë ndikuar shumë në personalitetin tim: “Plaku dhe deti” i Ernest Hemingway, , “Bankieri” i Leslie Waller, “100 vjet vetmi” i Gabriel Garcia Márquez, “Origjina e totalitarizmit” e Hannah Arendt, “Arqipelagu i Gulagut” i A. Soljenitsyne, “Bretkosa” të nobelistit kinez Mo Yan, “Identiteti” i M. Kundera, etj.
M. S.: Cili është libri që aktualisht po lexon..?
A. Civici: Po rilexoj “Procesi” i Franc Kafkës që sic po kuptoj e zgjodha për të përjetuar dhe në leximin e një libri atmosferën mbytëse dhe karantinimin nga koronavirusi, këtij armiku të padukshëm e mizor që duket se po e akuzon dhe ndëshkon shoqërinë njerëzore për faje apo krime që ajo nuk po i kupton dhe percepton dot në mënyrë direkte e të qartë. Është një lloj “Procesi” që po na bëhet të gjithëve. Njëkohësisht po lexoj dhe librin “Serotonina”, një nga romanet e fundit të shkrimtarit francez Michel Houellebecq.
M. S.: Po libri që të ndryshoi jetën?
A. Civici: Librat që kanë ndikuar shumë në jetën time, jo thjesht si romane apo autorë njohur kanë qënë “Martin Iden” i Xhek London, i cili në kohën e gjimnazit tonë, në vitet 1970-të, në moshën kritike të reflektimeve për jetën, suksesin, dështimin, frikën nga e ardhmja apo ëndërrimet për karrierën, na mbushte me besim, se në jetë, vullneti dhe përpjekjet shpërblehen. Por, ky libër, njëkohësisht na frikësonte dhe na bënte që të reflektonim edhe të përpiqeshim të kuptonim përse Martin Iden u zhgënjye nga jeta dhe vrau veten? Megjithatë, ajo që na frymëzonte ne gjimnazistëve të viteve 1970-të, ishte “mësimi” se ambicja dhe vullneti i jashtëzakonshëm bënë që një njeri anonim dhe i varfër arriti të ngjitej në majat e shoqërisë.
Ndërsa gati 30 vite më vonë gjimnazit, në fillim të viteve 2000, libri tjetër që më bëri të kuptoj shumë për filozofinë e jetës dhe kërkimit të suksesit është “Alkimisti” i Paulo Coelho-s, një roman magjepës, që përtej historisë së një djaloshi andaluzian që udhëtoi shumë për të gjetur thesari e ëndërruar, të tregon se thesarit gjithkush duhet ta kërkojë dhe gjejë në shtëpinë e tij, në punën dhe përpjekjet e tij. Ky roman është një testament i përjetshëm për të realizuar ëndrrat tona duke dëgjuar zërin e zemrës
M. S.: Libri që të ndikoi më shumë për të shkruar ?
A. Civici: Nga gjithë librat e lexuar, mendoj se libri që ka ndikuar më shumë në dëshirën për të shkruar është “Fausti” i Johann Wolfgang Goethe. Ky libër më mbushi me frymëzim për atë që mund ta quaj “forcën e krijimit”, sepse në këtë libër, Goethe nuk shkroi për dicka të re të krijuar prej tij, por u mbështet në një legjendë të dy shekujve më parë, për të cilën ishin shkruar e folur shumë, për të krijuar një botëkuptim dhe dialog të ri social, historik e filozofik, për të krijuar një vepër që përshkruan gjithcka nga skëterra deri në parajsë. Nëpërmjet një vepre të fundme, ai krijoi një gjithësi të pafundme.
M.S.: Libri që është mbivlerësuar më shumë me pa të drejte? Si e keni përjetuar ju atë?
A.Civici: Në lidhje me letërsinë shqipe, sidomos atë të realizmit socialist, ka shumë libra që për arsye politike e ideologjike, apo dhe për shkak të “biografisë së mirë” të shkrimtarit, të mbivlerësoheshin shumë dhe të shpalleshin kryevepra. Disa autorë si, Kolë Jakova, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, apo shkrimtarë sovjetikë si Maksim Gorki, Alexandre Bogdanov, Anatoli Lounatcharski, etj. Leximi me detyrim dhe servirja e këtyre shkrimtarëve dhe librave të tyre si “kryevepra” ishte ndoshta sikleti më i madh në orët e letërsisë në gjimnaz.
M. S.: Libri i fundit që ju ka bërë të qeshni?
A. Civici: Sa herë kam nevojë të lexoj dicka që më bën të qesh është pa dyshim “Ushtari i mirë Shvejk” i Jaroslav Hashek.
M. S.: Libri që nuk ke arritur ta përfundosh?
A. Civici: “Jeruzalemi” i Simon Sebag Montefiore-s. Arsyeja që nuk e kam përfunduar nuk qëndron në faktin e vëllimit prej 800 faqe të librit apo mungesës së interesit për të, por sepse përkthimi në shqip i këtij libri linte shumë për të dëshiruar. Një autor kaq i njohur dhe një histori kaq mahnitëse sa ajo e Jeruzalemit kërkojnë një shqipërim cilësor që të kuptohen e shijohen sa më mirë. Fatkeqësisht, kujdesi i pakët ndaj cilësisë së përkthimit ka bërë që shumë kryevepra botërore të humbin mjaft nga vlerat dhe emocionet e tyre në shumë përkthime në shqip.
M. S.: Libri që ju vjen shumë turp që se keni lexuar ende?
A. Civici: “1984” dhe “Ferma e kafshëve” të George Orwell
M. S. Libri më i hershëm që keni lexuar?
A. Civici: Duke u kthyer shumë mbrapa në kohë, përvec librave me përralla apo “histori gazmore” që më shumë na i lexonin prindërit, kam përshtypjen se libri i parë që kam lexuar vetë dhe që më ka lënë mbresat e para “të leximit të një libri” i përket moshën 9 ose 10 vjecare, ka qenë një libër i përshtatur për fëmijë për luftën e Trojës, për heroizmat e Akilit dhe Hektorit, si dhe dinakërinë e Odiseut me kalin e Trojës. Ndikimi i këtij libri ka qenë i fortë. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj të lexoj me qejf libra apo të shoh filma që i përkasin antikitetit grek.
M. S.: Librin që jepni më shpesh si dhuratë?
A. Civici: Pothujase gjithmonë kur bëj dhuratë libra, zgjedh librat e Ismail Kadaresë, si për miqtë e mi në Shqipëri, ashtu dhe te ata në Europë apo SHBA. Librat e Kadaresë që kam dhënë më shumë si dhuratë janë “Prilli thyer”, “Kështjella”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Pallati i ëndrave”.
Top Channel