Kosova në karantinë! Policia vijon aksionin, ndalohen 102 shkelës të izolimit

13/04/2020 14:50

Policia e Kosovës ka ndalur 102 persona në 24 orët e fundit për shkak të mosrespektimit të masave të kufizimit që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Numri më i madh i qytetarëve që nuk kanë respektuar masat është nga qyteti i Prishtinës, ku u regjistruan 47 shkelës. Prishtina hyri të dielën në karantinë pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi shtimin e numrit të rasteve me Covid-19. Përveç Prishtinës, në karantinë ka hyrë edhe Prizreni, Ferizaj dhe Suhareka.

Që nga shpërthimi i virusit në Kosovë në 13 mars, të dielën u regjistrua numri më i madh i të prekurve brenda një dite, 79 të tillë. Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës janë infektuar 362 persona, 59 janë shëruar dhe tetë kanë humbur jetën. Në vazhdën e betejës kundër virusit, autoritetet atje kanë shpallur gjendjen e emergjencës për shëndetin publik. Sakaq, janë regjistruar edhe katër viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dy viktima prej tyre ishin në Shkup.

Bilanci i viktimave në vend ka shkuar kështu në 38. Ministria e Punëve të Brendshme sakaq për të parën herë që nga aplikimi i kufizimit të lëvizjes gjatë fundjavës, nuk ka regjistruar asnjë shkelje nga qytetarët.

Top Channel