Para pandemisë mundësonin punësimin e të huajve në vendin tonë, ndërsa sot kompanitë ndërkombëtare të punësimit kanë mbetur vetë pa punë.

“Listë pagesat për periudhën e marsit përballohen nga kompania, ndërsa për periudhën e prillit dhe në vazhdim kemi bërë kërkesë për mbeshtetje nga shteti. Për mendimin tim jo vetëm ne, por çdo lloj biznesi që ka mbyllur shërbimet nuk mund ta përballojë këtë situatë për një periudhe të gjatë. Për hir të së vërtetës, klima e të bërit biznes nuk është në kulmin e saj, në majat e saj. Boll vështirësi ka biznesi në përgjithësi dhe bashkë me këtë vështirësi janë mbyllur në të gjitha anët nga të gjitha drejtimet çështja e të ardhurave”, u shpreh Ermal Jauri, nga Europe Agency.

Kompanitë e punësimit raportojnë se qindra kontra punë kanë mbetur pezull për shkak të mbylljes së kufijve. Krahu i punës nga jashtë parashikonte te vinte në Shqipëri më së shumti për rindërtimin e banesave të prishura nga tërmeti.

“Kemi një grup punonjësish prej 100 vetash, që janë në procesin leje pune, viza e të tjera e të tjera, të cilat për shkak të pandemisë, për shkak të situatës që ndodhi janë pezulluar të gjitha. Punonjësit e huaj që ne sjellim në Shqipëri janë kryesisht nga vendet aziatike, për shkak se përshtaten me marzhin tonë të pagesave. Banglandeshi, Sirilanka, Nigeria, Maroku ka shumë vende të të njëjtin nivel që përshtaten me pagat e Shqipërisë”, shtoi Jauri.

Nëse pandemia zgjat vështirësitë e biznesit do të jenë të mëdha , por edhe shpallja e falimenti nuk është vendim i lehtë dhe as zgjidhje për ta.

“Teknikisht nuk e shpall dot. Pavarësisht kërkesave apo detyrimeve që mund të kesh të shpallësh falimentim është e pamundur sepse ka pasoja deri ligjore, pasi nëse nëse një biznes shpall falimentin do merret në hetim nga organet kompetente, një zgjidhje do ishte nëse pandemia do zgjaste shumë biznese që janë të mbyllura mund të pezulloheshin për një periudhë kohe të caktuar duke ndaluar ngarkimin me detyrime financiare kundrejt organeve shtetërore, por dhe kjo është pothuajse e pamundur se në historitë që njoh unë askush nuk ka mundur ta bëjë. ”

Biznesi i madh dhe i vogël kërkon ndërhyrje konkrete nga shteti me ndiihma apo paketa ekonomike për shkak se shumë prej tyre e kanë të vështirë mbijetesën.

Top Channel