Pakënaqësi edhe në Kosovë për ndarjen e fondit të ndihmës, reagon Ferizaj!

12/04/2020 08:54

Qeveria e Kosovës ndau një fond prej 5 milionë eurosh në ndihmë të sportit për të përballuar krizën nga koronavirusi, dhe ditën e djeshme Federata e Futbollit të Kosovës publikoi planin e ndihmës për klubet e futbollit por edhe në Kosovë ashtu si në Shqipëri ka patur pakënaqësi.

Klubi i Ferizaj ka reaguar me një deklaratë zyrtare duke kërkuar më shumë transparencë nga FFK, duke kërkuar më shumë transparencë.

Deklarata e plotë e klubit të Ferizaj:

Bordi udhëheqës i klubit futbollistik FC Ferizaj, reagon ndaj pakos financiare të ndarë nga FFK dhe konsiderojmë që shuma e ndarë është shumë e vogël për cilindo klub në Superligën e Kosovës. Ne kërkojmë nga FFK, duke u nisur edhe nga gjendja që është shkaktuar nga pandemia e virusit Covid 19, të rrisë transparencën financiare dhe të bëjë të ditur, të paktën në këtë kohë, për të gjitha klubet dhe opinionin fitimet që merren nga organizatat e futbollit.

Ne e konsiderojmë që gjendja në të cilën ndodhemi është sfidë për të gjithë, të cilën duhet ta kalojmë së bashku me një transparencë dhe mirëkuptim të përbashkët. Asnjë Federatë nuk mund të ekzistojë dhe as të jetë subjekt ndërkombëtar (pjesë e organizatave ndërkombëtare të futbollit) pa anëtarët e saj, e që janë klubet e futbollit që përbëjnë këtë Federatë. Prandaj, nëse Federata ekziston për këto klube, duhet të japë llogari përmes transparencës dhe të mbyllë të gjitha spekulimet e mundshme”, lexohet në komunikatën e Ferizajt.

Top Channel