Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini ka zhvilluar një bashkëbisedim virtual me përfaqësues të Parlamentit të Nxnëësve, të cilët përveç se kanë ndjekur mësimin në kushtet e shtëpisë, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe me bashkëmoshatarët e tyre në bashkitë që përfaqësojnë duke marrë mendime mbi efikasitetin e mësimin në kushte shtëpie dhe si mund të përmirësohet më tej.
Gjatë bashkëbisedimit, Ministrja Shahini ka mbajtur shënime për idetë apo problematikat e ngritura me qëllim adresimin e tyre në vijim.
Në fillim të kësaj bisede, një prej përfaqësuesve nënvizoi faktin e mirë se mësimi online ka shërbyer pozitivisht për t’i mbajtur nxënësit të lidhur me shkollën, si dhe t’i ndihmojë ata të përsërisin mësimet e mëparshme.
Nga një përfaqësues u hodh ideja e krijimit të një platforme falas online “Nxënësit për Nxënësit”, e cila mund të lejojë nxënësit të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre, apo pse jo të ndihmohen nga shokët e shoqet për vështirësi të ndryshme të hasura gjatë kësaj periudhe. Në thelb, kjo lloj platforme synon të rrisë efikasitetin, gjithëpërfshirjen e solidaritetin, gjë e cila mund të vazhdojë të zbatohet edhe pas periudhës së mbarimit të pandemië COVID-19.
Ministrja Shahini e mirëpriti këtë draft-propozim dhe u shpreh se do të shikohet në vijim se si mund të realizohet nga ana teknike.
Në fund të bisedës, Ministrja Shahini falënderoi përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve dhe i informoi se do të lidhen sërish në vijim me të tjera takime virtuale duke theksuar se në takimin e radhës do të diskutojnë për maturën shtetërore, vlerësimin e nxënësve apo çdo lloj problematike tjetër.
Top Channel