Veliaj inspekton tregjet në Kombinat, Pazarin e Ri dhe Njësinë 2: “Tregjet do të hapen sërish të hënën, ndaj s’ka nevojë të dyndemi nesër”

10/04/2020 19:42

Pas suksesit në tregun e Kombinatit me vendosjen e kabinës së dezinfektimit në hyrje të tij, kjo nismë e Bashkisë së Tiranës është shtrirë edhe në tregjet e tjera publike në kryeqytet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot pasdite tre nga tregjet më të mëdhenj të fruta-perimeve: në Kombinat, Njësinë 2 dhe Pazarin e Ri, ku janë marrë të gjitha masat që çdo gjë të jetë në përputhje me masat për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

“Te Pazari i Ri është mbajtur higjiena, ka psur administrim që në fillim, ndaj është një nga tregjet që është sjellë më mirë; nuk kemi pasur nevojë të shtojmë më shumë forca policore e dezinfektantë. Ndërkohë, te tregu i Kombinatit dhe tregu i Shkollës së Baletit, ku ka qenë edhe fluksi më i madh, janë vendosur dezinfektantë. Duhet të kuptojmë një gjë: dezinfektanti është për atë përqindje të vogël të rrezikut që vjen kur virusi është në rroba ose në hapësirat e ngurta, siç mund të jenë banaqet apo toka. Por, siç kemi thënë edhe për dezinfektimin e qytetit, nuk e zëvendëson higjienën personale”, tha Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që të respektojnë masat e marra edhe në fundjavë. “Dezinfektimi është një masë paraprake, por secili duhet të shfrytëzojë orën e vet për të bërë pazar dhe të vazhdojë për në shtëpi. Dua t’ju kujtoj të gjithë qytetarëve, vërtet është një javë feste, kemi Pashkët, por kjo nuk është një asye për të blerë dhe për të konsumuar sikur do të bëhet qameti. Të hënën, pavarësisht se është ditë pushimi, tregjet do të hapen prapë. Kryeministri njoftoi se do të jenë hapur që në orën 5, kjo do të thotë se do të ketë sërish ushqime”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se çelësi i suksesit në ketë betejë është bashkëpunimi i qytetarëve me autoritetet për të qenë sa më të kujdesshëm. “Do të bëjmë maksimumin tonë, dua që secili prej tyre të bëjë maksimumin e tyre. Nëse secili bën maksimumin për higjienë maksimale e për të qenë efiçent gjatë orës së pazarit, do vijë e hëna, edhe oraret do të zgjaten deri në orën 17:00, por edhe lejet për të bërë pazar do të jenë 90 minuta. Do kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes policisë bashkiake dhe policisë së shtetit e ushtrisë, por unë shpresoj shumë që bashkëpunimin më të madh ta kemi me qytetarët, ku një mentalitet më i kujdesshëm dhe më bashkëpunues do të jetë çelësi i fitores sonë”, tha ai.

Ndërkaq, pas përfundimit të orarit të tregtimit, janë punonjësit e pastrimit ata që merren me largimin e mbetjeve si dhe larjen me dezinfektant të tezgave dhe të ambientit përreth. Paralelisht, nëpër tregje vijon puna e Polisë Bashkiake për zbatimin nga ana e qytetarëve të distancimit fizik nga njëri-tjetri dhe të radhëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA