Imazhet e arkivolëve që varrosen në një varr masiv në Nju Jork kanë tronditur shumëkënd, ndërsa numri i viktimave të koronavirusit atje vazhdon të rritet.

Punëtorët në kostume mbrojtëse, janë parë të përdorin shkallë për të zbritur në një gropë të madhe ku vendoseshin më pas arkivolët. Vendi është në ishullin Hart, që përdoret zakonisht për të varrosur nju jorkezët që nuk kanë familjarë apo që nuk mund të përballojnë një ceremoni funerale.

Nju Jorku ka tani më shumë raste koronavirusi se cdo shtet tjetër i botës sipas shifrave më të fundit. Ky shtet amerikan konfirmoi se numri i rasteve të Covid 19 u rrit me 10 mijë të enjten, duke shkuar në 159937, nga të cilët 7 mijë persona kanë humbur jetën. Spanja ka raportuar 153 mijë raste dhe Italia 143 mijë ndërsa kina, ku edhe virusi u shfaq vitin e shkuar, ka raportuar 82 mijë raste. SHBA, e tëra, ka regjistruar 462 mijë raste të koronavirusit dhe rreth 16500 viktima. Në të gjithë globin ndërkohë janë 1.6 milionë raste ndërkohë që numri i viktimave po shkon drejt 100 mijëshit, i ndalur për momentin në mbi 95 mijë.

Numri i viktimave në Nju Jork ndërkohë vazhdon të rritet prej disa ditësh por guvernatori, Endriu Kuomo, thotë se lajm i mirë është rënia prej dy ditësh radhazi e numrit të të shtruarve në spital. Ai tha se kjo ishte shenjë se distancimi social po funksionon, Ai e quajti epideminë një shpërthim të heshtur që po godet shoqërinë me të njëjtën mizori si ajo që u pa në sulmet e 11 shtatorit. Ndërkohë, një tjetër fije shprese erdhi të enjten nga parashikimet zyrtare për numrin total të viktimave në SHBA. Dr.Antoni Fauci, anëtar i task forcës së shtëpisë së bardhë për koronavirusin, tha se numri i mundshëm i viktimave, në fund të epidemisë, për SHBA, do të ishte rreth 60 mijë. Në fund të marsit ai kishte folur për 100 apo 200 mijë viktima të mundshme.

Por masat kufizuese kanë bërë që të mbyllen bizneset jo të domosdoshme në 42 shtete amerikane, duke ngadalësuar në mënyrë drastike ekonominë. Sipas të dhënave të reja, numri i të papunëve është rritur edhe me gjashtë milionë të tjerë, për të dytën javë radhazi, duke e çuar totalin e amerikanëve të papunë në 16.8 milionë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta