Bonusi për të prekurit në futboll, kategoritë që përfitojnë

10/04/2020 13:23

Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi këtë javë një paketë ndihmëse për punonjësit që janë prekur nga emergjenca e koronavirusit, një stimul financiar që vjen në një kohë të vështirë.

Plani parashikon dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare për një periudhë një mujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekësh të rinj; nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet sërish.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit, vendosi të mbështesë futbollin shqiptar në një periudhë të pazakontë kur vendi ynë është paralizuar për shkak të virusit Covid-19. FSHF insistoi të nënvizonte se në rast se ndalimi i të gjitha aktiviteteve do vijojë, paketa do të shtrihet edhe për periudhën 16 Prill-15 Maj.

Por cilat janë konkretisht kategoritë që përfitojnë!

Futbollistët e Kategorisë Superiore dhe stafet, pra çdo punonjës i siguruar i tyre, ata punonjës të futbollit që nuk kanë të ardhura të tjera marrin pagesën e plotë 30 mijë lekësh të rinj, anëtarë të stafeve të klubeve të cilët janë të angazhuar part-time, përfitojnë gjysmën e pagesës.

Ndërkohë trajnerët e moshave që nuk janë në një punë tjetër marrin pagesën e plotë ndërsa ata part time, marrin gjysmën. në planin e FSHF nënvizohet se klubet që varen nga bashkitë nuk përfitojnë nga kjo pagesë dhe se kjo i shkon si detyrë institucioneve vendore.

Top Channel