Bjellorusia luan futboll! Stadiumi, plot me tifozë ‘fake’

10/04/2020 11:41

Kura kontroverse e presidentit bjellorus kundër koronavirusit, me konsumimin e vodka dhe shumë seanca saune duket se perëndoi shpejt, pasi vendi po i afrohet numrit të 2 mijë të infektuarve.

Por ndërkohë në ligën e këtij shteti, futbolli nuk është ndërprerë. Klubi bjellorus i futbollit, Dynamo Brest, ka mbushur tribunat me fotografi të tifozëve dhe me fanella, në tentativë për të krijuar atmosferë më të ngrohtë në ndeshjet e skuadrës.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumica e tifozëve kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi. Në Bjellorusi ende po lejohen shikuesit nëpër ndeshje, por ata kanë zgjedhur më së shumti bojkotin në vendin e vetëm në Europë ku ende po luhet futbolli profesionist.

Dynamo Brest ka gjetur një zgjidhje kreative për këtë, duke ftuar tifozët nëpër botë që të blejnë bileta virtuale. Për të justifikuar disi pagesën, fotografitë e tifozëve vendosen në maketa, në tribuna të stadiumit. Po ashtu tifozëve që blejnë biletat virtuale u dërgohen në shtëpitë e tyre revistat e ditës së ndeshjes. Paratë që mblidhen do të dhurohen në luftën ndaj koronavirusit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel