Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka premtuar rritjen e rolit të Francës, dhe të atij vetë, në lehtësimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, presidenti francez ka thënë se sapo të krijohen kushtet e duhura do të organizohet samiti i Parisit për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, nën mbikqyrjen e Francës dhe Gjermanisë.

Në një komunikatë për media nga zyra e kryeministrit Kurti, bëhet e ditur se Macron ka shprehur mbështetjen e tij për rifillimin e qarkullimit të mallrave mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri në detyrë Kurti i ka thënë presidentit Macron se “qeveria e tij sheh në zbatimin e reciprocitetit zbatimin efektiv edhe të asaj çka përmbahet në marrëveshjet e Brukselit, dhe gjithashtu realizimin e premtimeve të bëra para zgjedhësve”.

“Ai nënvizoi faktin se efektiviteti i dialogut varet nga pjesëmarrja e Evropës. Evropa nuk mund të zëvendësohet nga ndonjë kontinent tjetër, dhe as Franca nga ndonjë shtet tjetër. Evropa është edhe mjedisi edhe perspektiva e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet t’i ketë thënë Kurti presidentit Macron.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën ndaj mallrave serbe.

Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe, mirëpo e ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, gjë që ka ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kërkuar shfuqizimin pa kushte të tarifës.

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur heqjen e tarifës dhe nuk e ka komentuar vendosjen e masës së reciprocitetit.

Më 1 korrik të vitit të kaluar, presidenti francez kishte planifikuar mbajtjen e një samiti në Paris me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, mirëpo ai kishte dështuar, pasi palët nuk kishin lëvizuar nga qëndrimet e tyre.

Serbia kërkonte heqjen e tarifës ndërkaq qeveria e asaj kohe e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kundërshtonte një gjë të tillë.

Top Channel