Kosovë, printera 3D për ventilatorë në ndihmë të pacientëve me Covid-19

09/04/2020 01:26

Një prodhues printerash 3D, në Prishtinë, po modifikon pajisjet e tij për të prodhuar një ventilator që do të ndihmonte pacientët me koronavirus. Me më shumë se gjysmën e pjesëve të bëra nga printera 3D, modeli synon të automatizojë operacionin e BVM, ose valvulës, në mënyrë të kontrollueshme dhe jo të kushtueshme, që do të mund të përdoret për rastet e emergjencës.

Nisma e kompanisë së themeluar nga Rron Cena, ka zënë vend edhe në raportimet e agjencisë franceze të lajmeve, AFP. “Më shumë se 50 për qind e pjesëve janë të printuara në 3D dhe ky ishte qëllimi ynë, si të përdorim atë që ne kemi, një sasi printerash 3D, që të bënim sa më shumë pjesë që të mundeshim”- tha Rron Cena.

Për Cenën, kjo është koha për tu bërë krijues dhe për të bërë gjithçka që mundemi për të ndihmuar punonjësit e shëndetësisë, që në këto momente janë në vijën e parë të frontit në luftën me virusin. Bashkim Hoti, inxhinier në Formon, thotë se valvula e BVM, normalisht kontrollohet manualisht dhe ata në kompani po përpiqen që ta automatizojnë atë.

Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, thotë se ajo autorizon vetëm përdorimin e atyre aparateve që klasifikohen si pajisje mjeksore dhe që janë të licensuara. “Ministria është e inkurajuar nga fakti se shumë sipërmarrës në Kosovë kanë nisur të gjejnë mënyra për të prodhuar mekanizma të ndryshme. Sidoqoftë, ministria autorizon vetëm përdorimin e atyre aparateve që klasifikohen si pajisje mjeksore dhe që janë të liçensuara, kanë certifikata”- thotë Hoti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA